Arben Vitia thotë se nuk është njoftuar për hetim nga Prokuroria

Ish ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti, Arben Vitia, tha se nuk është  njoftuar se është duke u hetuar nga Prokuroria një ditë pasi organi i akuzës në Prishtinë tha se është duke zhvilluar hetime ndaj tij për kohën sa drejtonte këtë ministri gjatë muajve shkurt-qershor 2020.

Lidhur me lajmin se Prokuroria ndaj tij ka filluar hetimet penale ai ka deklaruar  se “unë nuk jam njoftuar zyrtarisht se është ngritur asnjë procedurë hetimi për temën në fjalë”.

“Ajo që mund të them është se nga fillimi i procedurave të tenderimit në kohën e pandemisë, MSH ka dërguar kërkesë në Autoritetin e Konkurrencës dhe Policinë e Krimeve Ekonomike që të hetohet secila procedurë e tenderimit  pa paragjykim dhe përjashtim”, tha ai.

“Gjithashtu, publikisht në shumë raste kam kërkuar që secila nga këto procedura të hetohen nga të gjitha organet kompetente”, shtoi Vitia.

“ë gjitha këto dokumente  u janë dorëzuar organeve kompetente nga administrata e Ministrisë së Shëndetësisë në muajin maj sa kam qenë ministër” tha ai

Vitia tha se kjo ka ndodhur për shkak se në këtë kohë ka pasur rritje çmimesh dhe “nuk kemi dashur në asnjë moment të lëmë asnjë dyshim në këtë proces”.

“Prandaj jam i lumtur që ky proces ka filluar dhe shpresoj të mos ketë asnjë gjetje, por për secilën gjetje nga organet kompetente bëj thirrje të merren të gjitha masat për secilin individ pa përjashtim dhe secilën procedurë që mund të ketë probleme të tilla”, tha ai.

* Lajmi është plotësuar më 14 tetor 2020, në orën 12:15, me deklaratat shtesë të ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia