Arben Vitia: Jemi më mirë sesa që kemi pritur karshi COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se Kosova është më mirë se shtetet e rajonit në luftën ndaj COVID-19 e po ashtu edhe më mirë se sa e kanë pritur ekspertët e fushës epidemiologjike.

“Unë nuk jam epidemiolog dhe çdo veprim i imi bëhet me IKShPK dhe ekspertët e fushës. Deri tani është një opinion në mes të profesionistëve është se jemi më mirë edhe se sa kemi pritur në fillim, Rekomandim i IKShPK është që të vazhdohet me këto masa e po ashtu edhe me disa masa shtesë”

Vitia ka bërë thirrje për qytetarët që të rrinë në shtëpi së paku deri në fund të këtij muaji dhe t’i dëgjojnë rekomandimet e institucioneve përkatëse.

Vitia, në një konferencë për media ka thënë se për masat që do të dalin pas datës 13 prill dhe karantinimin e komunave do të dakordohen më komunat përkatëse.

Për këto vendime Vitia ka thënë se tashmë është krijuar një grup punues që do të merret me këto vendime, të cilat sipas tij do të fillojnë që nga pasnesër të hyjnë në fuqi.

“Ne jemi takuar me Vjosa Osmanin dhe me disa ministra së bashku me ministrin Kurti ne kemi krijuar një grup I cili do të merret me hapat e mëtutjeshëm pas datës 13 prill. Ne jemi dakorduar me Osmanin se Ligji për Sëmundje Ngjitëse duhet të plotësohet dhe ndryshohet. Ne do të dakordohemi së bashku me komunat dhe do të vendosim në dakordim me to, për karantinimin e tyre sepse secila komunë i ka specifikat e tyre”, ka thënë Vitia.

Deri më tash në Kosovë janë identifikuar 184 raste pozitive, kanë vdekur 5 persona si dhe janë shëruar 30 persona.