Arben Vitia dëshmon për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Kurti

Ish- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Vitia ka thënë se sapo ka marrë detyrën është marrë me pandeminë pasi kjo ka qenë çështja që ka gjetur në tavolinë, kurse vendimin e parë e ka marrë në muajin mars ku përfshiheshin masat parandaluese.

“Qysh në ditën e parë më 4 shkurt kur kam marr detyrën, menjëherë tema kryesore ka qenë pandemia. Me datë tetë shkurt ka qenë dyshimi i parë për një rast.Kemi filluar menjëherë me analizimin e kapaciteteve materiale dhe njerëzore, kemi kërkuar nga IKSHP ta bëjë një plan gatishmërie për reagim.Vendimi i parë në mandatin tim ka qenë  më 12 mars, një ditë para se të paraqiteshin dy rastet e para kemi marrë vendim që të shkojmë në masa sa më të mëdha parandaluese si mbyllja e shkollave, kufijve, dhe disa vendime tjera,” ka thënë Vitia.

Sipas Vitisë ky model ka qenë jo i vullnetshëm por duke parë atë që po ndodhte në Itali, ajo situatë në Kosovë do ishte edhe më shkatërruese.

Vitia gjithashtu ka thënë se Kosova është dashur të ndjekë model me masa parandaluese për shkak të sistemit të brishtë shëndetësor.

“Ka qenë model  i zorit për shumë arsye, pandemia në mars u bë shumë e frikshme, sipas të gjitha raporteve kishte më shumë të panjohura se te njohura . Italia ka qenë një alarm për neve sepse një vend si ai nga ajo që i ndodhi  në veri për ne kjo do ishte vrastare.Në model janë futur shumë faktorë, jo vetëm Kosova por shumë nga rajoni nuk kanë qenë të përgatitur për një pandemi të tillë dhe materialet mbrojtëse kanë qenë të ulëta,” ka shtuar tutje Vitia.

Sipas ish -Ministrit Vitia faktorët kryesore si dobësi  në sistem kanë qenë  sistemi i brishtë i trashëguar me mungesë të investimeve, mos trajnimi i duhur i mjekëve për këto lloj pandemish dhe mungesa e mjeteve .

Sot për të dytën ditë me radhë po raportohet në komisionin hetimor parlamentar për menaxhimin e COVID-19.

Izet Sadiku tregon se si u emërua koordinator i karantinës në Qendrën e Studentëve