Arben Gashi: Qeveria Hoti mos t'i shkarkojë bordet e Qeverisë Kurti

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në seancën ku po pritet të votohet qeveria Hoti, tha se kjo qeveri nuk duhet t’i shkarkojë bordet që janë emëruar nga Qeveria Kurti.

“Unë i rekomandoj qeverisë që bordet e caktuar nga LVV të mos shkarkohen fillimisht, por të ju bëhet një performancë e thukët dhe të vlerësohet puna e tyre, jo të shkarkohen pse u bënë nga VV por të shihet baza re tyre juridike dhe ligjore”, tha Gashi në fjalën e tij.

Sipas tij, vetëm së bashku me të gjitha partitë mund të bëhet ç’kapja e shtetit.

“Perceptimi që është krijuar nga kapja është diçka që nuk mund të anashkalohet.  U pa se as VV nuk ishte imune ndaj këtij impulsi të fituesit. Unë mund të them se kapja nuk duhet t jetë element që e karakterizon kapjen e shtetit, duhet ta çkapim shtetin, pa punësime partiake ashtu siç kemi premtuar”, tha Gashi.

Gashi u zotua se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, si dhe i bëri thirrje Hotit që të negociojë në emër të qytetarëve të Kosovës.

“Marrëveshja me Serbinë dhe dialogu janë çështje që duhet të diskutohen në Kuvend. Kjo qeveri dhe secila qeveri tjetër duhet ta dijë se negociojnë në emër të Kuvendit, në emër popullit. Hoti negocion ne emër tonin. Neve na duhet bashkë të jemi në politikën e jashtme sepse territori i Kosovës janë çështje të popullit të Kosovës dhe atë e përditësojmë ne këtu”,  tha më tej Gashi.

Seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë është duke vazhduar.