Arben Gashi: Qeveri angazhohu, ende s'keni siguruar vaksinën

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, pati kritika ndaj programit qeverisës dhe Qeverisë Kurti, duke thënë se Kosova është i vetmi vend që nuk ka siguruar vaksinën anti-COVID-19, e për këtë Qeveria duhet të angazhohet.

“Po shohim paaftësi në procesin e vaksinimit të popullsisë. Ju keni përgjegjësi të plotë për shëndetin publik. Kosova sot është vendi i vetëm që nuk ka blerë asnjë vaksinë të vetme, por që varet nga mëshira e vendeve mike. Po dështoni në ruajtjen e shëndetit dhe jetës. Kosova të angazhohet dhe të sigurohen vaksinat”, tha deputeti Gashi.

Ai tha se tre muaj pa zgjedhje ‘dëshmon vetëm për një fillim pa ide, që ka vetëm një bazë, numrat në Kuvend’.

Gashi, kritikoi Qeverinë duke thënë se seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar mbi programin qeverisës, është një praktikë e dëmshme, pasi sipas tij, përbën ndërhyrje në punën e Kuvendit.

“Programi e dëshmon se nuk ishit të gatshëm për qeverisje, po ashtu nuk jeni të gatshëm për qeverisje në mënyrën se si e keni ndërtuar këtë program. Me këtë fletushkë që e quani program, nuk po shohim asgjë që premtuat kur ishit në opozitë. Reforma në drejtësi mbetet parullë e pa përkthyer në program”, tha deputeti Gashi.

Deputetet e Kuvendit te Kosovës janë duke e mbajtur seancën e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës Prezantimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.