Arben Gashi pret që qeveria Hoti të formohet javën e ardhshme

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese i ka programet e veta dhe se plani i punës së Qeverisë është program i LDK-së me partnerët e tjerë.

LDK-ja dhe aleatët e tjerë tash e sa javë kanë zhvilluar takime për planin qeverisës, ndonëse Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar deri më 29 maj 2020 mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

“Programi jonë është program qeverisës, është plan i punës së qeverisë dhe gjykata i ka planet e veta dhe programet e veta. Gjykata e bën punën e vet, ne e bëjmë punën tonë”, tha Gashi pas mbledhjes që patën me deputetët e LDK-së dhe Avdullah Hotin.

Ai shtoi se qeveria e ardhshme e vendit, nëse bëhet, është e gatshme ta drejtojë dialogun me Serbinë.

Gashi shtoi se në këtë takim është diskutuar detajisht programi qeverisës dhe plani i punës së qeverisë.

“Pati diskutime, komente, të cilat u inkorporuan në program dhe besoj që ishte një punë shumë kualitative. Një krijim i një sinergjie mes grupit dhe qeverisë së ardhshme dhe një mundësi e sqarimeve mes deputetëve dhe qeverisë. Ishte një punë dhe mundësi shumë e mirë. Programi mund të shihet në momentin kur diskutohet dhe votohet qeveria”, theksoi Gashi.

Zyrtari i LDK-së, shtoi se në momentin që del vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta riaktivizojë ftesën për seancën e jashtëzakonshme.

“Dhe do të caktoj ditën dhe orën. Kjo nuk do të zgjasë më shumë se 24 orë”, shtoi ai.

I pyetur nëse beson se muaji i ardhshëm do ta gjejë Kosovën me qeveri të re, ai tha se beson që kjo do të ndodhë javën e ardhshme.