Arben Gashi: Prej që është takuar Kurti me Vuçiqin, Lista Serbe po i voton propozimet e Qeverisë

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se prej se është takuar kryeministri Albin Kurti me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës e voton çdo ligj të Qeverisë.

“Lista Serbe votoi pro rishikimit të buxhetit. A e keni vërejt, prej që është taku Kurti me Vuçiqin, këta (Lista Serbe) votojnë pro gjithmonë. Çka ka ndodhë, diçka ka ndryshu. Kur ju ishit në opozitë kjo ishte krim, ndërsa tash nuk është. Kryetar, tregona çka ka ndodhë sepse ti je i sinqertë”, tha Gashi në Kuvendin e Kosovës.

Gashi kërkoi që votimi për rishikimin e buxhetit të shkojë në procedurë të rregullt.

Ndërsa me 68 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim është votuar në parim Projektligji për Shqyrtimin e parë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit, mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se Vetëvendosje kërkon që leximi i parë dhe leximi i dytë i këtij Ligji, të kryhet me procedurë të përshpejtuar.