Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Gashi: Ndoshta kryeministri mund ta zgjidh krizën energjetike me importimin e kriminelëve nga Danimarka

Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvend lidhur me krizën energjetike, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka hedhur një varg akuzash ndaj kryeministrit Kurti.

Ai ka thënë se ndoshta kryeministri Kurti mund ta zgjidh krizën energjetike me importimin e kriminelëve nga Danimarka.

“Ndoshta kryeministri Kurti mund ta zgjidh krizën energjetike me importimin e kriminelëve nga Danimarka, për të cilët po thotë që do të marrë 210 milionë euro kompensim financiar”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se në emër të ç‘kapjes i ka kapur të gjitha, duke kapur kështu edhe sektorin e energjisë.

“Me një fjalë e ka kapur vetën për fyti dhe tashmë vendi është në terr, sepse kryeministri e ka kapur vetën për fyti”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit kjo qeveri gjen fajtor, por nuk gjen zgjidhje.

“Kjo qeveri për t`i ikur përgjegjësisë instruktoi ZRrE-në, dhe KEK-un që të mos shkojë në remont sipas planifikimeve gjatë verës kur energjia elektrike është 20 euro megavati. Dhe tash KEK-u detyrohet dhunshëm të shkojë në remont”, ka thënë Gashi.