Arben Gashi i LDK-së: Vjosa Osmani e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur në selinë e saj në Prishtinë.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi para gazetarëve tha se kanë diskutuar me Vjosa Osmanin pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Gashi deklaroi se Osmani është një politikane dhe juriste që i respekton vendimet e Gjykatave në Kosovë.

“Kemi diskutuar me zonjën Osmani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo është kryetare e Kuvendit, një juriste e përgjegjshme dhe një figurë e rëndësishme në Kosovë që i respekton vendimet e Gjykatave në Kosovë”, u shprehë Gashi para gazetarëve.

Sipas tij, procesi i votimit të Qeverisë së re pritet të filloj sapo ta marrin zyrtarisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne jemi në proces të finalizimit të konsultimeve me partnerët e koalicionit dhe poashtu po e presim ardhjen zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shprehë ai.

Gashi deklaroi se ende nuk i kanë formalizuar emrat e ministrave të LDK-së në qeverinë e ardhshme që pritet të drejtohet nga Avdullah Hoti.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar dje aktvendimin mbi kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për ta nominuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e saj ka deklaruar se nuk ka gjetur pika anti-kushtetuese në dekretin e presidentit për kandidatin e LDK-së.

Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi për Avdullah Hotin