
Arabia i reagon Trumpit: S’ka marrëdhënie me Izraelin pa shtet palestinez
Arabia Saudite ka deklaruar se nuk do të vendosë lidhje me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez, duke kundërshtuar pretendimin e presidentit Donald Trump se Riadi nuk kërkon një shtet palestinez kur deklaroi se SHBA-ja dëshiron të marrë Rripin e Gazës – raporton Agjencia amerikane e lajmeve Reuters.
Në një njoftim, Trump ka deklaruar martën, më 04.02.2025, se Shtetet e Bashkuara do të marrin përsipër enklavën e shkatërruar nga lufta, pasi palestinezët të zhvendosen diku tjetër dhe ta zhvillojnë atë ekonomikisht. Ai po fliste në një Konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në vizitë në SHBA.
Arabia Saudite kundërshton çdo përpjekje për zhvendosjen e palestinezëve nga toka e tyre – thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite në një deklaratë të mërkurën, duke shtuar se është i panegociueshëm qëndrimi i saj ndaj palestinezëve.
Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman ka pohuar pozicionin e mbretërisë në “mënyrë të qartë dhe eksplicite”, se nuk lejon asnjë interpretim në asnjë rrethanë – thuhet në deklaratë.
Çdo zhvendosje e propozuar e palestinezëve është çështje shumë e ndjeshme, si për palestinezët ashtu edhe për vendet arabe.
Ndërsa luftimet rifilluan në luftën e Gazës, palestinezët frikësoheshin se do të kishte një tjetër “Nakba”, ose katastrofë – koha kur qindra-mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre në luftë në lindjen e shtetit të Izraelit.
Kur vjen puna te politika saudite në Lindjen e Mesme, piketat janë të larta si për Trumpin, ashtu edhe për Izraelin.
Shtetet e Bashkuara kishin udhëhequr muaj të tërë diplomacie për të detyruar Arabinë Saudite – një nga shtetet arabe më të fuqishme dhe me ndikim – të normalizonte marrëdhëniet me Izraelin dhe të njihte vendin. Por lufta e Gazës, e cila filloi në tetor 2023, bëri që Riadi ta lërë këtë çështje përballë zemërimit arab ndaj ofensivës së Izraelit.
Trump do të donte që Arabia Saudite të ndiqte rrugën e vendeve, si Emiratet e Bashkuara Arabe, qendër tregtare dhe biznesi në Lindjen e Mesme, dhe Bahrejni që nënshkruan të ashtuquajturat Marrëveshje të Abrahamit në 2020 dhe normalizuan lidhjet me Izraelin.
Duke vepruar kështu, ato u bënë shtetet e para arabe në një çerekshekulli që thyen një tabu të kahershme.
Vendosja e marrëdhënieve me Arabinë Saudite do të kishte vlerë të madhe për Izraelin, sepse mbretëria ka ndikim të madh në Lindjen e Mesme, në botën e gjerë myslimane dhe është eksportuesi më i madh i naftës në botë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com