Aprovohet përdorimi i ilaçit që mori Trump për t’u trajtuar nga COVID – 19

Ilaçi i cili u përdorë për t’u trajtuar Donald Trump gjatë kohës kur ishte i infektuar me COVID – 19, është aprovuar nga rregullatori i ilaçeve në Mbretërinë e Bashkuar si “ilaçi i parë në llojin e tij” për trajtimin e këtij virusi, raporton The Guardian.

Ronapreve është emri i këtij ilaçi që morri dritën e gjelbërt nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA).

Sekretari i Shëndetësisë në UK, Sajid Javid tha se ky lajm është fantastik.

I njëjti tha se po shpreson që ky ilaç të jetë në dispozicion për pacientët e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar sa më shpejtë të jetë e mundur.

Ilaçi sipas MHRA-së nuk synohet që të përdoret si zëvendësim i vaksinës, mirëpo do t’i ndihmojë personat që janë të rrezikuar ose ata që kanë më pak gjasa të mbrohen nga vasinat aktuale.

Sipas Penny Ward, profesoreshë në mjekësinë farmaceutike në King’s College në Londër, tha se trajtimi me Ronapreve uli rrezikun e shtrimit të pacientëve në spital me rreth 70%.

Martin Landray, profesor i mjekësisë dhe epidemiologjisë në Universitetin e Oksfordit tha se autorizimi i Ronapreve është një “hap i rëndësishëm përpara” pasi testimet kanë treguar rezultate pozitive pa shqetësime të rëndësishme.

Përktheu: Shkodrane Dakaj