Apostolova thirrje partive politike 'Ndalojeni ndërtimin e termocentralit të ri'

Ndërtimi i termocentralit të ri po konsiderohet shumë i dëmshëm për ambientin e Kosovës. Për këtë shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, u bëri thirrje zyrtarëve politik, që të ndalojnë ndërtimin e këtij termocentralit dhe të fokusohen në krijimin e politikave të reja për mbrojtjen e mjedisit, sepse edhe Kosova luan rol në mbrojtjen e planetit.

Këto Apostolova i tha me rastin e mbajtjes të javës së diplomacisë klimatike në Prishtinë.

“Nëse nuk veprojmë urgjentisht, do të kemi shumë pasoja rreth ndryshimit të klimës, i ftoj të gjitha subjektet garuese që të marrin parasysh ketë çështje, sidomos gjatë fushatës zgjedhore dhe t`i përgatisin të gjitha masat për mbrojtjen e ambientit”, tha ajo.

Nataliya Apostolova shtoi se BE është e gatshme të ndihmojë Kosovën që të ballafaqohet më këto ndryshime klimatike.

“Kosova është turp të ketë klimë të papastër, sepse natyra është shumë e bukur”, thotë shefja e zyrës së BE.

Ndërsa Angelika Viets, ish-ambasadore e Gjermanisë në Kosovë, tha se qeveria e vendit të saj do ta mbështes Kosovën përmes projekteve në fushën e efiçiencës së energjisë dhe promovimin e energjisë së ripërtritshme.

Në këtë konferencë në fund u hap një diskutim i hapur për të rinjtë me temë “Ndryshimet klimatike në vend” të cilën e udhëhoqën panelistët nga organizatat joqeveritare.

Këta të fundit shprehen shqetësimin e tyre për ndotjen e ambientit dhe mirëpritën përkrahjen nga BE.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.