Foto: Levizja Vetevdosje, Facebook

Apostolova takon Kurtin, kërkon që sa më parë të formohet qeveria e re

Zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme i ka vizituar Shefja  e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj.

Apostolova është pritur nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, së bashku me anëtaret e Kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci dhe Fitore Pacolli.

Në njoftimin e LVV-së, bëhet e ditur që Apostolova e ka uruar Kurtin për fitore, si dhe ka diskutuar me të për procesin zgjedhor si dhe pjesëmarrjen e komunitetit serb në këto zgjedhje.

“Tani, është e rëndësishme që pas çertifikimit të rezultateve të formohen institucionet dhe qeveria e re sa më parë në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian i ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si në fushën drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe mjedisit”, citohet të ketë thënë Apostolova.

Tutje në njoftimin në Facebook, bëhet e ditur se edhe kryetari Albin Kurti ka shprehur shqetësimin e tij për procesin në veri të vendit.

“Kryetari Kurti përmendi nevojën e një mini-Marshall plani të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sidomos për bashkimin dhe zhvillimin e qyteteve të ndara, i cili do të mundësonte progres shoqëror dhe hov drejt integrimeve evropiane”, thuhet në njoftim.

Poashtu Kurti dhe Apostolova kanë biseduar edhe për dialogun dhe rrugën europiane të Kosovës.

“Kurti po ashtu tregoi se e ka mirëpritur vlerësimin dhe renditjen përkatëse të çështjeve të Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, për zgjedhjet e 6 tetorit, e të cilët theksuan rëndësinë që qeveria e re të fillojë sa më parë me masa që ndikojnë në” zhvillimin ekonomik dhe social, sundimin e ligjit, zbatimin e MSA-së dhe çështjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Apostolova dje ka takuar edhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa me të cilin kanë biseduar për përbërjen e qeverisë së re.

Pas numërimit të votave të rregullta, në zgjedhjet e 6 tetorit, VV-ja ka dalë partia e parë e pasuar nga LDK-ja.Në javën e kaluar këto parti janë dakorduar për formimin e grupeve punuese për harmonizimin e programeve për formimin e koalicionit, mirëpo ende nuk ka ndodhur ndonjë takim i tillë.