Natalya Apostolova | Foto: KALLXO.com

Apostolova: Lajçak me përvojën e tij do ta ndihmojë dialogun Kosovë-Serbi

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur emërimin e Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Apostolova në Twitter ka shkruar se me përvojën e tij ai do të ndihmojë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Mirëpres emërimin e Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor. Një diplomat me shumë përvojë dhe ai do të ndihmojë në procesin sfidues të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradiit. Me shumë fat z.Lajçak”, ka thënë ajo.

Këshilli i BE-së, ka njoftuar se ka emëruar sot Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të kontribuojnë në konsistencën dhe efektivitetin e veprimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Lajçak do të marrë detyrat e tij menjëherë, me një mandat fillestar prej 12 muajsh.

Dialogu Kosovë – Serbi është ndërprerë pasi që Kosova i vuri tarifën 100 për qind në vitin 2018.

 

Miroslav Lajçak emërohet Përfaqësues i ri Special i BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi

www.kallxo.com