Apostolova kërkon të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë thirrje që të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme në rrethana të tilla urgjente.

“Në rrethana të tilla urgjente është koha për të lënë mënjanë dallimet politike dhe debatet e padobishme. Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin rajonal në mënyrë që të mundësojë çdo ndihmë të mundshme për ata që preken nga coronavirusi”, thuhet në deklaratë.

Ajo e ka lavdëruar deklaratën e përbashkët të lëshuar nga ministri Vitia dhe ministri Jevtiq më 2 prill 2020 dhe të gjitha përpjekjet e tjera të institucioneve të Kosovës që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe ofrimin e mbështetjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Është me shumë rëndësi që qytetarët, në tërë Kosovën, në çdo komunë të marrin informacion të qartë se cilat shërbime janë në dispozicion të tyre dhe si mund të ndihmohen për parandalimin dhe në rast të infeksionit”, vazhdon deklarata e Apostolovës.

Apostolova ka theksuar në veçanti rëndësinë e arritjes tek komunitetet më të cenueshme dhe të izoluara të cilët nuk mund të kenë qasje në shërbime thelbësore.

“Shoqëria e Kosovës, si shumë nga ato në Evropë dhe në mbarë botën, po përballet me një krizë të pashembullt shëndetësor që urgjentisht ka nevojë për një përgjigje në kohë nga të gjitha autoritetet e Kosovës, shoqëruar me reagim dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët e saj. Vetëm duke pasur një frymë bashkëpunimi dhe solidariteti ne mund të kapërcejmë së bashku efektet e pandemisë coronavirusi”, ka shtuar ajo.