Natalya Apostolova. Foto: Zyra e BE-së/Facebook

Apostolova e shqetësuar për djegien e veturës së deputetit Simiq

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e ka quajtur shqetësues lajmin për djegien e veturës private të deputetit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq.

Apostolova përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’ ka thënë se pret që të nisin hetimet në zbardhjen e këtij rasti.

“Pres që policia të zhvillojë një hetim të shpejtë dhe të plotë në mënyrë që autorët të paraqiten para drejtësisë”, ka shkruar Apostolova, të enjten.

 

Portali Kossev kishte raportuar sot se vetura private e deputetit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq, është përfshirë nga flakët në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Leposaviq.

Simiq është zgjedhur anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, ka konfirmuar për portalin Kossev se incidenti ka ndodhur rreth orës 00:25 në rrugën “Milan Raduloviq Krcun” në Leposaviq.

“Më 9 janar rreth orës 00:25 në Leposaviq, në rrugën “Milan Raduloviq Krcun” është djegur vetura e markës “Peugeot” bë pronësi të S.S. (1984) me tabela të Mitrovicës i cili ishte parkuar në një garazh të papërfunduar përballë shtëpisë ku banon pronari i veturës”, tha Radoviq.

Kossev raporton se në vend të ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve dhe patrulla e policisë ndërsa zjarri është lokalizuar, por vetura është djegur tërësisht.

Raportohet se dëmi i shkaktuar kap vlerën deri 6 mijë euro.

Digjet vetura e deputetit të Listës Serbe në Leposaviq