Foto: KALLXO.com

Apostolova e lumtur që Vjosa Osmani është gruaja e parë në krye të Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim shefen e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Pas takimit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se orientimi i Kosovës është anëtarësimi në BE dhe institucionet e tjera euro-atlantike.

“Ka projekte  të shumta të cilat BE ka shtyrë përpara, disa prej tyre fuqizimin e demokracisë parlamentare dhe mezi pres që ato t’i vazhdojmë, por edhe të rrisim në aspektin e kualitetit dhe kuantitetit, në mënyrë që roli mbikëqyrës I Kuvendit në punët e qeverisë të jenë më i mirë. Jo, në aspektin negativ për një demokracie të shëndoshë”, ka thënë Osmani duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Apostolovën.

Ndërkaq, ambasadorja Nataliya Apostolova theksoi se është e lumtur që për herë të parë është zgjedhur një kryeparlamentare.

“Nuk mund ta shpreh me fjalë se sa e lumtur jam që për herë të parë në Kosovë e kemi një kryeparlamntare grua. Kjo është diçka mjaft e madhe dhe përparim”, ka thënë Apostolova.

Apostolova para të takohej me Osmanin është takuar me kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë takim ajo ka thënë se pret nga Qeveria e re që të dalë me propozime për taksën ndaj Serbisë.

“Presim nga Qeveria të dalë me propozime se si do të zgjidhet kjo çështje. Për ne është shumë me rëndësi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë”, ka deklaruar ajo.

Apostolova: BE pret nga Qeveria Kurti të dalë me propozime për taksën ndaj Serbisë

Vjosa Osmani është gruaja e parë në Kosovë që është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Para se të merrte pozitën e kryeparlamentares, ajo iu fut garës për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.

Para se të arrihej marrëveshja mes koalicionit LVV-LDK, në krye të parlamentit për rreth një muaj ka qëndruar Glauk Konjufca.