Aplikimet për votim nga diaspora, KQZ tregon sa telefonata janë bërë në diasporë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ ) ka njoftuar se shërbimi votues është duke vazhduar me shqyrtimin, verifikimin dhe regjistrimin e aplikacioneve nga diaspora, të cilat janë pranuar deri më 21 janar.

Sipas KQZ-së, deri më sot, në sistem janë futur rreth 130 mijë aplikacione për regjistrim, ndërsa deri më tani janë aprovuar rreth 46 mijë. Sipas të dhënave, janë edhe rreth 27 mijë e-maila të pahapura.

“Vetëm pas përfundimit të të gjithë kësaj periudhe të shqyrtimit, vlerësimit dhe verifikimit të aplikacioneve, në fund do të kemi një raport të detajuar ku do ta dijmë saktë se sa është numri i aplikimeve për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe se sa prej do të regjistrohen suksesshëm pasi kanë plotësuar kriteret ligjore”.

Po ashtu KQZ ka njoftuar se të gjithë qytetarët të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë përmes postës nga data 2 shkurt. Ndërsa fletvotimet pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt.

Sipas njoftimit, deri më sot janë realizuar rreth 39 mijë thirrje, prej atyre rreth 32 mijë aplikues kanë konfirmuar të dhënat e tyre, rreth 7 mijë e 300 persona nuk e kanë hapur telefonin, për të cilët do të bëhen prapë tentime.

“Nga numri i përgjithshëm i atyre që janë lajmëruar në telefon, 51 persona të cilët i kemi kontaktuar kanë thënë se nuk janë personat konkret. Pra, nuk e kanë emrin, mbiemrin, datën e lindjes dhe shtetin, sikurse në të dhënat nga aplikacioni për regjistrim ose kanë deklaruar se nuk aplikuar fare për regjistrim për të votuar përmes postës”, thuhet në njoftim.