Aplikantët pranojnë se iu nënshtruan testimit për bashkëpunëtorë profesional me disa prej pyetjeve që i shpërndau kryeprokurori Buzhala

Pas marrjes së një mesazhi nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, me disa prej pyetjeve të cilat do të ishin pjesë e një testi me shkrim, ekipi i KALLXO.com shkoi menjëherë në ndërtesën e ish- Rilindjes në të cilën ishtë duke u mbajtur testi për bashkëpunëtorë profesional për disa prokurori të vendit.

Ekipi i KALLXO.com ka biseduar me disa nga aplikantët të cilët ishin pjesë e testimit dhe të njëjtit konfirmuan se në test kishte pyetje të njëjta me ato të cilat kryeprokurori Buzhala gabimisht i dërgoi përmes whatsap gazetares Adelina Ahmeti.

“Po isha për bashkëpunëtor. Hiq nuk ishin (të rënda pyetjet), ese, aktakuza, ese institucioni i prokurori i shtetit dhe roli i tij në luftimin e kriminalitetit, Gjykata Kushtetuese, pyetje hajgare janë këto. Dallimi mes dënimit me kusht dhe lirimit me kusht”, thotë njëra nga aplikantet që mori pjesë në testin me shkrim.

Pyetje të ngjashme pranon se kanë pasur edhe një aplikant tjetër gjatë biesdës me KALLXO.com.

Të njëjtit nuk pranuan që të intervistoheshin me kamerë në lidhje me pyetjet që janë paraqitur në testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesional brenda prokurorive të vendit.

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com në orën 11:25 gjatë ditës së sotme. 

Tutje ky mesazh i dërguar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala në numrin e gazetares së KALLXO.com, Adelina Ahmeti, vazhdon tutje me  përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”. 

Kryeprokurori Buzhala i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”. 

KALLXO.com mëson së pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesional, test i cili është mbajtur gjatë ditës së sotme brënda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se deri në orën 13:00, tutje ai vazhdon të thërras në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është dicka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala deri sa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje.

“Po më fal ku keni dashtë me i dërgu këto pyetje, ku i ke adresu?”, pyetet nga ekipi i KALLXO.

“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…”, kërkon kryeprokurori Buzhala nga ekipi i KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim.

Ai nuk pranon të jap përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje ndërsa vazhdon sërish të kërkoj që të fshihen ato.

“Adelina të kesh mirëkuptim sepse gabim janë dorëzu…”, thotë gjatë bisedës me KALLXO.com, kryeprokurori Buzhala.

“Kryeprokuror është e rëndësishme me e dit se ku keni dashtë me i dërgu do të thotë pyetjet dhe kë e keni udhëzu se si me u përgjigj?”, vazhdon insistimin ekipi i KALLXO.com për të marrë përgjigje nga ana e kryeprokurorit Buzhala se për kë janë të destinuara këto pyetje të cilat ai i kishte nisur mëngjesin e sotëm në adresë të KALLXO.com.

Në njërën nga sekondat e bisedës, dëgjohet prokurori deri sa shprehet “kuku. Q….n…. dhe mbyll telefonin”.

KALLXO.com me të marrë vesh se ishte duke u mbajtur një test me shkrim për bashkëpunetorë profesional në disa prokurori të ndryshme, ka shkuar në ndërtesën ku po mbahej testi me shkrim.

Gjatë asaj kohe sa ekipi qëndroi në ndërtesë, gjatë bisedave me disa nga të testuarit për pozitën e bashkëpunëtorit profesional, të njëjtit konfirmuan ekipit të KALLXO.com se pyetjet ishin të ngjashme sikurse ato që i kishte dërguar Kryeprokurori Buzhala gazetares së KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar me dhjetëra herë të kontaktoj sërish me kryeprokurorin Buzhala. Ai në asnjë moment nuk është përgjigjur as në thirrje e as në mesazhet që i ka dërguar ekipi i KALLXO.com.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com menjëherë ka kontaktuar edhe me ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

I pyetur fillimisht, nëse aktualisht ka ndonjë konkurs për bashkëpunëtor profesional, Kryeprokurori Kelmendi tha se e di që ka por jo saktësisht.

“A ka dhënë ndonjë sqarim kryeprokurori për këtë çështje? E qartë e gjitha po e kuptoj si ka shkuar. Do të kërkoj përgjigje dhe do të shoh se çka do të thotë ai në lidhje me këtë çështje”, thotë u.d. Kryeprokurori Kelmendi.

“Të presim sepse nuk e di a ka pas test sot ose nuk ka pasur duhet të shikohet, nuk jam në rrjedha sepse është çështje e KPK, por do të kërkoj përgjigje nga kryeprokurori dhe ai do të sqaroj të gjithë situatën dhe ato që u ngritën nga ana juaj. Nuk dua të supozoj sepse nuk e di, të presim njëherë përgjigjen dhe pastaj reagimi do të jetë konform ligjeve”, thotë tutje Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi në një bisedë me KALLXO.com.

KALLXO.com ka shkuar edhe një hap më tutje, ka tentuar sërish të telefonoj kryeprokurorin Buzhala por i njëjti ka bllokuar numrin e gazetares së KALLXO.com.

Në lidhje me këtë çështje, është tentuar edhe biseda me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave të ekipit të KALLXO.com.

Kush është Kryeprokurori Ramiz Buzhala?

Ramiz Buzhala në mars të vitit të kaluar kishte aplikuar për të parin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë. I njëjti në këtë pozitë erdhi ani pse ndaj tij ekzistonte një masë disiplinore.

Kujtojmë se Kujtojmë se më 2019, në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ ishte transmetuar një hulumtim, ku përmes një video inçizimi, u raportua për mënyrën se si prokurori i Prokurorisë së Gjakovës Ramiz Buzhala, gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale e pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Disa muaj pas këtij raportimi ndaj tij ishte shqiptuar një masë disiplinore për rastin në fjalë.

Drejtësia në Kosovë’ transmetoi filmimet ekskluzive që kapën prokurorin e Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, duke i kërkuar të vëllait të Ruzhdi Ramadanit, të tërhiqet nga ndjekja penale ndaj pronarit të kompanisë ku i ishte lënduar i vëllai.

I riu Mentor Ramadanit nga Komogllava e Ferizajt ishte lënduar në punë deri sa ishte duke punuar në një ndërtesë në Gjakovë.

Rasti kishte ndodhur në nëntor të vitit 2016.

Kjo është biseda e parë e zhvilluar mes tyre dhe sugjerimi i prokurorit që palët të merren vesh mes tyre:

Prokurori: Me ju taku, as nuk më lejohet mundësia ndoshta me ardhë në gjykim, unë jam në Krime të Rënda kam dalë prej vitit të ri, kur të vij në rast se e takoj diku po kështu ne përmes telefonave kështu skam…

Ramadani: Jo, jo unë po të kuptoj unë.

Prokurori: Po kqyr merruni vesh, shtoj edhe diçka për kompensim të dëmit, edhe ty të tërheqi prej andej, edhe gjykata shkon me një minimum. A e din që thotë populli me ja lidhë kryet, juve për çdo rast për çdo siguri ju vyen ai m’u shpallë fajtor.

Ramadani: Po, po ju kuptoj. Ai është shpallë fajtor

Prokurori: Ky nuk i intereson a shkon një vjet në burg a dy, me rëndësi është ky m’u shpallë fajtor që atë vendim, nuk i dihet insanhalli vyn për civilen.

Ramadani: Po, po të kuptoj

Prokurori: Po ti edhe me parë me ja bashkëngjitësh ndjekjes e andej, gjykata se shteti e ka hise te secili qytetar.

Ramadani: Qashtu po të kuptoj..

Prokurori: Atë problem Unë nuk e di cila gjyqtare e ka, kqyri flas unë me gjyqtaren edhe njëherë ku është lënda, apo ku është.

Ramadani: Hala është në fillim.

Prokurori: Në rast se ju takoj aty atë ditë, ose për çdo rast kur kanë gjykim ti vjen te unë, e thirri palën e merremi vesh diqysh. Në rast se vini në gjykim, para se me hi në gjykim vjen ti te unë “prokuror sot është gjykimi” edhe unë e takoj atë pronarin edhe e thirrim. Kështu me i than hajde, a e din.

Ramadani: Ja ja unë po e di se nuk lejohet me ligj, nuk du as me të qitë probleme edhe ty a po më kupton por unë të thash.

Prokurori: Unë të thash njerëzisht, kur të kish gjykim hajde si sot që ke ardh, prokuror Ramiz, e thirri atë palën i them kqyr merruni vesh mi shty edhe diçka ky tërhiqen prej ndjekjes del pa therë ne këmbë edhe ti edhe ata bëjnë, jeta vazhdon me gjithë atë.

Ramadani: Po të kuptoj, prej krejt këtij muhabeti unë me sa e kuptova ma së miri është ne m’u tërheqë qysh edhe vet po thu edhe.

Prokurori: Ai shpallet fajtor, atë vendim ju e merrni për siguri për çdo rast. Se e ka definua ai shumë mirë,  po flas edhe njëherë dhe aksidente edhe nuk e kalon 25 mijëshen, nuk e kalon. Ki raste që nuk i kalon 20-25 nuk e kalon. Jo që jeta e njeriut vlen qaq po tarifat në kompanitë e sigurimit janë asi lloji.

Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional – VIDEO