Apelohet te qytetarët të aplikojnë në e- Kosova për vaksinën anti - COVID

Niman Bardhi, Koordinatori i Qendrës së vaksinimit në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, kërkon nga qytetarët të aplikojnë në e- Kosova për marrje të vaksinës kundër coronavirusit.

“Duhet të dinë se pavarësisht përcaktimit të terminit që e bëjnë duhet t’i takojnë grupmoshës mbi 65 vjeç, nëse i referohemi personave me sëmundje kronike detyrimisht duhet të dëshmojnë mbi problemin apo sëmundjen që e kanë pasur dhe e vazhdojnë tutje”, tha Bardhi sot para mediave.

Koordinatorit tregoi se deri në orën 12:00 janë vaksinuar mbi 250 qytetarë dhe nëse i referohemi numrit total në nivel vendi ai tha se të vaksinuar deri në mesditë janë 3 mijë e 500 qytetarë.
Nga fillimi i pandemisë e deri më tani në Kosovë të vaksinuar janë mbi 138 mijë  persona.

Më 10 qershor në Kosovë ka filluar vaksinimi me dozën e dytë të vaksinës anti-COVID, sipas njoftimit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në nivel vendi janë rivaksinuar 17 mijë e 811 qytetarë.

Mosaplikimi në platformën e- Kosova, Bardhi thotë se është duke i detyruar të reduktojnë numrin e personave për vaksinim brenda ditës për shkak se siç thotë ai, po detyrohen t’i kthejnë mbrapa meqë nuk është përcaktuar termini.

“Në momentin që i përcaktohet termini për t’u vaksinuar ne e shohim në sistemin tonë e merr vaksinën. Personat të cilët kanë aplikuar por nuk i është caktuar termini normalisht e kanë atë ndjenjën e pakënaqësisë sepse ne nuk arrijmë t’i shohim në sistem dhe jemi të detyruar t’i kthejmë deri në momentin kur e kemi terminin në mënyrë zyrtare që atij i është caktuar për vaksinën që ka për të marrë”, tregon ai.

Ai sqaron se vaksinimi bëhet në pesë ditë të javës nga 13 orë punë, për shkak të angazhimit të lartë të personelit shëndetësor, Bardhi thotë se e kanë parë të arsyeshme që dy ditë të jetë të lira për ta.

Imunizimi në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, përderisa rreth tre muaj pas ka filluar edhe vaksinimi masiv në nivel vendi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ditë më parë në një prononcim për media ka deklaruar se në fund të këtij muaji pritet të vijë kontingjenti i parë me vaksina nga kontrata me kompania Pfizer.

Vitia: Deri në fund të muajit pritet të vijë kontingjenti i parë i vaksinave nga kontrata me ‘Pfizer’