Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku pak para shpalljes së aktgjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për akuzat për krime lufte. Foto: KALLXO.com/25.04.2024
Apeli vërteton lirimin nga akuza për krime lufte të Sylejman Selimit e Jahir Demakut
Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për lirimin nga akuza për krime lufte të Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut.
Më 25.04.2024 Themelorja kishte marrë vendim për lirimin nga akuza të Selimit e Demakut, ndërsa Prokuroria Speciale kishte bërë ankesë në shkallën e dytë.
Në arsyetimin e Apelit, thuhet se gjykata ka vlerësuar pretendimet ankimore të prokurorisë, lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe ka ardhë në përfundim se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, sipas Apelit, qofshin ato shkelje që kujdeset sipas detyës zyrtare vet gjykata, apo qofshin shkelje që pretendohen në ankesën e prokurorisë.
“Po ashtu, lidhur me këto pretendime, kolegji gjykues ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë në pjesën e dispozitivit ka përshkruar të gjitha rrethanat e fakteve dhe nuk ka asnjë kundërthënie në veten e tij, e as në raport me dispozitat ligjore që u janë ngarkuar të pandehurve për veprën penale të lartëcekur” – thuhet në njoftim.
Ndërsa në lidhje me pretendimet ankimore të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit fillimisht ka konstatuar se në ankesën e prokurorisë nuk ka pretendim konkret se cili fakt apo fakte nuk janë vërtetuar drejtë apo në mënyrë të plotë. Sipas Apelit, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë.
“Ndërsa, lidhur me pretendimet e prokurorisë për shkelje të ligjit penal, kjo gjykatë ka pasur parasysh se shkalla e parë përveç se ka zbatuar drejtë ligjin penal, ka dhënë arsye të shumta e në detaje për zgjidhjen e çështjeve ligjore që i ka bërë me rastin e marrjes së vendimit të tillë, duke iu referuar praktikës ndërkombëtare, më konkretisht të zbatimit të dispozitave që ndërlidhen me nenin 3 dhe 4 i përbashkët për katër konventat e Gjenevës, në raport me nivelin e pasojave të cilat rezultojnë nga dhuna apo tortura, e që në rastin konkret nuk rezulton asnjë nivel i pasojave të jetë provuar, për shkak se nuk dihet fare personi ndaj të cilit pretendohet se ishte ushtruar dhunë” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit të datës 05.11.2024.
Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku akuzoheshin me pretendimet e Prokurorisë Speciale se si pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime lufte kundër popullatës civile duke cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga lagjja Shipol e Mitrovicës.
Rasti pretendohet se ka ndodhur në qendrën e ndalimit në Likovc të Skenderajt në një datë të papërcaktuar siç thuhet në dosje “në muajin gusht apo shtator të vitit 1998”.
Avokati i Sylejman Selimit deklarohet pas vendimit të Gjykatës