Apeli vendos për pikat e Postës së Kosovës në institucione publike

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka fituar kontestin gjyqësor ndaj Postës së Kosovës për vendosjen e zyreve postare në institucionet publike.

AKK kishte marrë vendim se Posta e Kosovës kishte lidhur marrëveshje në kundërshtim me Ligjin për Konkurrencën me disa institucione për të vendosur zyret postare brenda objekteve në institucionet qendrore dhe lokale publike.

Në vendimin e datës 06.12.2016, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës urdhëronte Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komunën e Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt dhe Komunën e Gjakovës që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksionet e njëjta me operatorët e tjerë ekonomikë.

“Rekomandohet, Ministria e Punëve të Brendshme, Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjilanit, Komuna e Mitrovicës, Komuna e Ferizajt, Komuna e Gjakovës si dhe të gjitha autoritetet shtetërore; qendrore dhe lokale që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksionet e njëjta me operatorët e tjerë ekonomikë (IFJB), duke i vendosur ato në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë, në respektim të ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet tutje në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Megjithatë ky vendim nuk është ekzekutuar nga shumica e institucioneve të lartpërmendura.

Komuna e Prishtinës e ka arsyetuar mos respektimin e këtij vendimi për shkak të mungesës së këshillës juridike në këtë vendim.

AAK më pas ka korrigjuar vendimin te pjesa e këshillës juridike duke i dhënë mundësi Postës të iniciojnë konflikt administrativ në Gjykatë.

Posta e Kosovës më pas kishte paditur Autoritetin e Konkurrencës duke kërkuar anulimin e vendimit që urdhëron largimin e filialeve të postës nga objektet e institucioneve publike.

Por, Gjykata Themelore e Prishtinës në muajin korrik të 2018- ës në lëndën e udhëhequr nga gjyqtari Hajriz Hoti ka marrë aktgjykim me anët të të cilit e ka refuzuar si të pabazuar kërkesë-padinë e paditëses – Posta e Kosovës, më anë të së cilës është kërkuar që të anulohet vendimi i të paditurit – Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ndaj vendimit të këtij të fundit, vendim i cili urdhëron largimin e filialeve të postës nga institucionet publike.

Gjykata për këtë vendim i është referuar edhe nenit 10 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se “Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, ndërsa me nenin 119.3, përcaktohet se “Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur këto lejohen në mënyrë eksplicite me ligj”.

Po ashtu, në arsyetim të këtij aktgjykimi thuhet se Gjykata, për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të goditur me padi, i është referuar Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili e përcakton se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra ne mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”.

E pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, Posta e Kosovës ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e ka vlerësuar si të pabazuar ankesën e kësaj të fundit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimsi rreth kësaj çështjeje.

Institucionet jo-bankare ankohen se MPB po e favorizon Postën e Kosovës