Apeli ua ashpërson dënimet ferizajasve që sulmuan policinë

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Ferizajit sa i përket dënimeve për të pandehurit Eduart Gashi dhe Enis Emini nga Ferizaji.

Të akuzuarve veç e veç u është ashpërsuar dënimi me burgim nga 7 muaj sa u është shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë, në një vit.

Kujtojmë se rasti i sulmit ndaj policëve ishte bërë publik përmes një video që qarkulloi në media sociale.

Rrahjes i kishte paraprirë çështja e mosrespektimit të masave kundër COVID-19.

Sipas Gjykatës së Apelit, Gjykata e Ferizajit nuk ka marrë parasysh rrethanat rënduese pasi ngjarja kishte ndodhur në publik dhe derisa policët po e kryenin detyrën zyrtare.

“Kolegji penal i Apelit, nder të tjera  konstaton se  me rastin e vlerësimit të rrethanave rënduese, gjykata e shkallës së parë, është dashur të ketë në konsideratë edhe faktin se zyrtarët policorë, natën kritike ishin në detyra zyrtare, duke realizuar Planin Operativ për Zbatimin e Masave kundër Pandemisë Covid-19, kurse të pandehurit përveç që nuk ishin duke i zbatuar këto masa, ata edhe i kanë sulmuar të dëmtuarit në një vend publik”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se  nisur nga pesha e veprës penale, si dhe rrethanat e tjera të rastit konkret, kolegji penal  ka ardhur në përfundim se dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë ndaj të pandehurve janë dënime të buta, andaj edhe dënimi ndaj tyre është ashpërsuar.

Protagonistët e rrahjes me policët rrëfehen për ngjarjen