Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com
Apeli refuzon kërkesat e 3 të akuzuarve në gjykimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesat e 3 prej të akuzuarve në gjykimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit lidhur me masën e sigurisë.
Me aktvendimin e datës 9 mars, Gjykata e Prishtinës e kishte vazhduar masën e paraburgimit për të akuzuarit Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq dhe Rade Basara.
Ndaj këtij vendimi ishin ankuar avokatët e 2 të akuzuarve të parë dhe i akuzuari i tretë, të përmendur më lartë.
Mbrojtësit e të akuzuarve Silvana Arsoviq dhe Dragisha Markoviq kishin kërkuar që klientët e tyre të mbroheshin në liri, ndërsa i akuzuari Rade Basara kishte kërkuar që ndaj tij të zëvendësohet masa e paraburgimit me ndonjë masë më të lehtë.
Gjykata e Apelit, në krye me gjyqtarin Burim Ademi, refuzoi këto kërkesa.
Sipas aktvendimit të kolegjit të Gjykatës së Apelit thuhet se Gjykata e shkallës së parë ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit janë të involvuar në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen, ngase për këtë rast, tashmë ka një aktakuzë të ngritur, e cila është e mbështetur në prova.
Si rrjedhojë e kësaj, Apeli gjeti se meqë ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e këtyre veprave penale edhe caktimi i këtyre masave të sigurisë ka bazë ligjore.
Ndërsa, ndaj të akuzuarin Rade Basara, Apeli konsideron se ekziston rreziku potencial qe i njëjti të ndikojë në dëshmitarë dhe prova, andaj është i nevojshëm vazhdimi i paraburgimit ndaj tij.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në krye me kryeprokurorin Blerim Isufaj, po akuzon Marko Roshiqin, Nedelko Spasojeviqin, Dragisha Markoviqin, Zharko Jovanoviqin, Silvana Arsoviqin dhe Radeta Basaran se duke vepruar si grup i organizuar kriminal nën udhëheqje të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojçiqit, me veprimet e tyre inkriminuese kanë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.