Apeli nuk dha arsyetim pse përjashtoi Prokurorinë e Pejës në trajtimin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, përmes një vendimi të marrë në gusht të vitit 2019, kishte përjashtuar tërë Prokurorinë e Pejës për trajtimin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt.

Këtë rast ishte ngarkuar që ta hetojë prokurorja e Prokurorisë së Pejës, Sahide Gashi.

Dërguti përmes vendimit të tij kishte përjashtuar prokuroren e rastit Gashi dhe të gjithë prokurorët e tjerë të Prokurorisë së Pejës, duke dërguar lëndën për trajtim në Prokurorinë e Gjilanit.

KALLXO.com ka siguruar këtë vendim ku thuhet se kërkesa e mbrojtësit Besnik Berisha është e bazuar në parimin e objektivitetit dhe sigurimin e një procesi të drejtë e të paanshëm.

“Duke vlerësuar pretendimet e kërkesës, kemi vlerësuar se prokurori nuk ka marrë parasysh fakte që i ka propozuar mbrojtja, ku është krijuar një mosbesim në punën e prokurores, sidomos prokurori në një faqe të aktakuzës, faqe 13, thekson se prokuroria ka marrë informata jo formale se i pandehuri Shaban ka marrë ditën kritike një të dhënë nga Natyra lidhur me Agonisin”, thuhet në vendim.

Ish-kryeprokurori i Apelit ka vlerësuar se prokurorja duhet t`i vërtetojë këto informata jo formale, sepse nuk lejohet që aktakuza të bazohet në prova jo formale.

Në vendimin e Prokurorisë së Apelit nuk është dhënë asnjë arsyetim se pse lënda nuk mund t`i transferohet ndonjë prokurori tjetër në Prokurorinë e Pejës, veçse është marrë vendim për përjashtimin në tërësi të kësaj prokurorie.

“Nga analizimi i rastit rezulton se ka bazë ligjore që të përjashtohet Prokuroria Themelore në Pejë, më qellim të heqjes së çdo baze të dyshimit për jo objektivitet dhe profesionalizëm për një proces të pavarur dhe të drejtë të kësaj çështje penale”, thuhet në arsyetim të vendimit për përjashtimin e Prokurorisë së Pejës.

Në anën tjetër në vendim janë elaboruar edhe pretendimet e palës që ka parashtruar kërkesën në këtë rast avokatit, Besnik Berisha.

Berisha në kërkesë ka kërkuar përjashtimin e tërë prokurorisë, sipas tij për shkak të abuzimit me pushtetin prokurorial dhe mungesës se integritetit profesional të prokurores së çështjes.

Refuzimi i kërkesës së tij për inicim të procedurës disiplinore ndaj prokurores Gashi nga kryeprokurori Agim Kurmehaj, sipas avokatit tregojnë shpërfillje dhe injorim të argumenteve të mbrojtjes në jo objektivitetin e prokurores.

“Për shkak të inicimit të kësaj procedure disiplinore Prokuroria Themelore në Pejë tashmë është armiqësuar skajshmërish karshi nesh, madje armiqësia e prokurores së çështjes dhe motivi i saj hakmarrës ndaj të pandehurit Shaban Gogaj”, janë pretendimet e avokatit të shkruara në vendimin e Prokurorisë së Apelit.

Kujtojmë se avokati Besnik Berisha kishte parashtruar kërkesë incimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores Sahide Gashi, kërkesë kjo që u refuzua nga kryeprokurori i kësaj prokurorie.

Prokurorja Gashi për KALLXO.com ka thënë se pa ndonjë arsye janë larguar nga përfaqësimi i këtij rasti me pretendimet se Prokuroria e Pejës ka qenë e njëanshme në këtë rast.

“Me kërkesë të mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Besnik Berisha, është kërku përjashtimi im tek kryeprokurori i Pejës, e cila është refuzu. Më pas avokati në Apel ka kërku përjashtimin e gjithë Prokurorisë së Pejës dhe e njëjta është aprovu. Sipas nesh nuk ka pasë asnjë argument që e ka mbështet atë pretendim”, ka thënë Gashi.

Ajo shtoi se po të ekzistonte njëanshmëria e tyre në këtë rast atëherë ajo ose dikush nga Prokuroria e Pejës do të duhej të përgjigjej për përgjegjësi disiplinore mirëpo kjo nuk kishte ndodhur.

“As unë e as prokurorët e tjerë të Pejës nuk jemi thirrur në shkelje të Kodit të Etikës sepse në qoftë se jemi të njëanshëm na ish dashtë me u përgjigj, mirëpo nuk na kanë thirr në përgjegjësi e as nuk është iniciuar ndonjë procedurë disiplinore kundër nesh mbi këtë bazë”, tha Gashi.

Gjykata sot pritet të vendos për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt