Foto: KALLXO.com

Apeli ndryshon vendimin e Themelores rreth lartësisë së dënimit për të akuzuarit për sulm ndaj gazetarit Valon Syla

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës rreth lartësisë së dënimit në rastin e Lum Dervishit, Okan Hasanit dhe Kenan Hasanit, të cilët akuzohen për lëndim të lehtë trupor ndaj gazetarit Valon Syla.

Gjykata e Apelit me aktgjykim për veprën penale për të cilën janë shpallur fajtorë  atë të lëndimit të lehtë trupor i ka gjykuar secilin veç e veç me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, nga data 12.04.2023 e deri më 07.12.2023, kurse pjesën tjetër të aktgjykimi të ankimuar nuk e ka ndryshuar.

Vendimi është marrë nga gjyqtarët Kreshnik Radoniqi – kryetar i kolegjit, Vaton Durguti dhe Mentor Bajraktari –anëtarë.

Gjykata e Prishtinës më 07.12.2023 i kishte dënuar Lum Dervishin, Okan Hasanin dhe Kenan Hasanin për rrahjen që sipas Prokurorisë ia kishin bërë gazetarit Valon Syla më 11 prill të vitit 2023 në Prishtinë.

Themelorja për lëndim të lehtë trupor kishte marrë vendim dhe tre të akuzuarit secilin veç e veç e kishte dënuar me nga dy (2) vite dënim me burgim.

Kundër këtij aktgjykimi të Themelores, i cili ishte marrë me 07.12.2023, brenda afatit ligjor ankesë kanë ushtruar prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës me propozim që Gjykata e Apelit ta aprovojë në tërësi ankesën si të bazuar kurse aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë dhe të pandehurve t’u shqiptojë dënim me burgim me kohëzgjatje më të lartë.

Po ashtu kundër këtij vendimi të Themelores ankesë ka ushtruar edhe avokatja Mimoza Zabeli Sinani, e cila përfaqëson të akuzuarin Lum Dervishi me propozimin që Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar lidhur me pjesën e dënimit dhe të pandehurit t’i shqiptojë një dënim më të butë.

Po ashtu ankesë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Okan Hasani, avokati Rrahim Ajeti dhe mbrojtësi i të akuzuarit Kenan Hasani, avokati Ridvan Kajtazi, me propozimin që Gjykata e Apelit ta aprovojë në tërësi ankesën si të bazuar dhe aktgjykimin e ankimuar ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim, ose ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar ashtu që të pandehurve t’u shqiptohet dënim me kusht ose dënim më të butë me burgim.

Gjykata e Apelit përmes vendimit të përpiluar më 25.09.2024 gjeti se ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve janë pjesërisht të bazuara, ndërsa ankesa e PRSK-së nuk është e bazuar.

Cilat janë gjetjet e Gjykatës së Apelit ?

Gjykata e Apelit gjeti se e aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Lidhur me pretendimin ankimor të ngritur nga mbrojtësit e të pandehurve se Gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale  duke kundërshtuar kompetencën e Departamentit Special për ta trajtuar këtë çështje penale, duke theksuar se PSRK-ja nuk ka pasur kompetencë të ngritë aktakuzë për veprën penale -lëndim i lehtë trupor, shkalla e dytë e gjen pretendimin e pabazuar për faktin se referuar shkresave të lëndës, ashtu si edhe vetë mbrojtja potencon në ankesat e tyre, në këtë çështje penale Prokuroria Speciale kishte zhvilluar hetim për shkak të veprës penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit, e cila vepër penale hyn kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Kjo Gjykatë vlerëson si të drejta përfundimet e Gjykatës së shkallës së parë e cila deri te kjo gjendje faktike kishte ardhur pas administrimit të provave personale dhe materiale si: deklarata e të dëmtuarit të dëgjuar në cilësi të dëshmitarit V.S. i cili në seancën e shqyrtimit gjyqësor më 23.11.2023 kishte deklaruar se qëndron pas deklaratës së dhënë në Polici.

Ndërsa, nga analizimi i deklarimeve të të akuzuarve të dhëna në fazat e procedurës penale në këtë çështje penale, nga deklarimet e tyre, mes tjerash, përpos se nuk kishin mohuar sulmin fizik ndaj të dëmtuarit Valon Syla në ditën kritike, vërtetohet se ata ishin ndier të fyer nga postimet e të dëmtuarit Valon Syla në rrjetin social “Facebook”, e të cilat postime kanë qenë të ndërlidhura me çështjen fetare, e që nga kjo rezulton se motivi i kryerjes së veprës penale nga të akuzuarit është për arsyet e motiveve fetare, duke pretenduar se të akuzuarit në ditën kritike kishin shkuar te i dëmtuari për t’i tërhequr vërejtjen që të mos bëj postime të tilla duke qenë se është edhe muaji i Ramazanit dhe mundësisht t’i fshijë ato.

Nga raporti informues i Policisë së Kosovës Gjykata ka vërtetuar se më 11.04.2023 rreth orës 22:45 tre persona e kanë sulmuar të dëmtuarin Valon Syla duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturën BMW, ngjyrë e zezë.

Nga raporti fillestar i incidentit i Policisë së Kosovës në Prishtinë Gjykata ka vërtetuar se më 11.04.2023, në ora 22:39 është raportuar për incident në Prishtinë, në rrugën “l.M.” tek lokali “l.”, dhe Policia në vendin e ngjarjes ka arritur në ora 22:58, e nga i cili incident ka pasur lëndime të lehta trupore i dëmtuari Valon Syla.

Gjykata ka vërtetuar se është thirrur ndihma e shpejtë më 11.04.2023 në ora 22:50, ku ndihma e shpejtë ka shkuar në ora 22:55 dhe ka gjetur të dëmtuarin V.S. me plagë të hapur – gjakderdhje në anën e djathtë të kokës, ku i është bërë fashimi i plagës dhe është transportuar në Qendrën e Klinikës Emergjente ndërsa nga fletëlëshimi i mjekut nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Klinika Emergjente në Prishtinë, vërtetohet se i dëmtuari Valon Syla është dërguar me urgjencë në këtë klinikë për shkak të lëndimit të kokës pas incidentit.

Nga akt-ekspertimi mjekoligjor në bazë të dokumentacionit të çështjes lëshuar nga specialisti i Mjekësisë Ligjore për të dëmtuarin V.S. Gjykata ka vërtetuar që i dëmtuari me rastin e sulmit ka pësuar ndrydhje të indeve të buta në regjionin e kokës dhe qafës, si dhe plagë shqyese ndrydhëse në regjionin tëmthoro-ballor të anës së djathtë të kokës, të cilat dëmtime janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë (jo të mprehtë), e të cilat dëmtime bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme në shëndet.

Në gjetjet e Gjykatës së Apelit po ashtu thuhet se Gjykata e shkallës së parë në vlerësim të këtyre provave materiale dhe personale dhe duke vlerësuar edhe deklaratat e të pandehurve të dhëna gjatë fazave të procedurës penale, ku të akuzuarit nuk e mohojnë veprimin – sulmin ndaj të dëmtuarit, por motivin si pretendohet me aktakuzë, rezulton se edhe gjendjen faktike e ka vërtetuar në mënyrë plotë dhe të drejtë duke ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarve përmbushen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të – lëndimit të lehtë trupor, duke qenë se me këto prova është vërtetuar se sulmi i të akuzuarve ndaj të dëmtuarit ishte i motivuar nga aspekti fetar e që rrjedh nga postimi në profilin e të dëmtuarit, i cili ka qenë i ndërlidhur me fenë islame.

Gjykata e Apelit, si të pabazuar e gjen pretendimin e Prokurorisë për një dënim më të ashpër, ngase në ankesë nuk ceket ndonjë rrethanë të cilën Gjykata e shkallës së parë nuk e mori parasysh ndërsa për këto të pretenduar si të tilla ishin vlerësuar nga Gjykata e shkallës së parë.

Ndërsa në anën tjetër Gjykata e Apelit pretendimet e mbrojtjes për një dënim më të butë ndaj të pandehurve i gjen si të bazuara ngase Gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vlerësuar si rrethanë rënduese motivin nga besimi fetar e që në fakt është element kualifikues i figurës së veprës penale për të cilën janë shpallur fajtorë të akuzuarit andaj nuk mund të vlerësohet si rrethanë rënduese elementi i veprës penale.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Lum Dervishi, Okan Hasani dhe Kenan Hasani më 11.04.2023, rreth orës 23:00, për motive ideologjike, ekstreme radikale Islamike, kanë lënduar lehtë të dëmtuarin Valon Syla pas një publikimi që ky i fundit kishte bërë në rrjetin e tij social në Facebook, e që kishte të bënte me profetin Muhamed.

Të njëjtit e kishin përcjellë të dëmtuarin nga televizioni “T7”, deri në restorantin në lagjen Bregu i Diellit “Imagine”, ku kanë filluar ta sulmojnë me grushte në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Kështu i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Dhe, sipas Prokurorisë Speciale, ata kanë kryer veprën penale – lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje.