Apeli merr në shqyrtim ankesën e ish-zyrtares komunale që akuzohet se kishte ndihmuar familjarët në përftim të subvencioneve

Ish- zyrtarja e Komunës së Prishtinës, Zoja Krasniqi së bashku me të akuzuarën Albulena Rama – Gashi kanë dalë para kolegjit të Gjykatës së Apelit për të atakuar vendimin e Themelores me të cilin ishin dënuar me nga 1 vit dënim me burgim, në gjysmë liri për mashtrim me subvencione e keqpërdorim të detyrës.

Në seancën për shqyrtimin e ankesave, avokati i të akuzuarës Zoja Krasniqi, Jeton Maqedonci kërkoi nga Apeli që aktgjykimi i Themelores sa i përket pikës për të cilën Krasniqi ishte dënuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe shkeljeve të Kodit Penal.

Ndërsa, avokati i Albulena Rama – Gashi, Mentor Beqiri precizoi ankesën që kishte parashtruar në Gjykatën e Apelit, duke thënë se kanë ndryshuar rrethanat faktike dhe duke kërkuar nga shkalla e dytë që të nxjerrë aktgjykim refuzues për të mbrojturën e tij, pasi që ka arritur parashkrimi absolut.

Lidhur me këtë rast, sipas njoftimit të gjyqtares shqyrtuese, Afërdita Bytyqi, ndaj të akuzuarit Valon Bllacaku i cili ishte liruar nga akuza, prokuroria nuk ka paraqitur ankesë fare. Andaj ndaj të njëjtit nuk do të ketë shqyrtim të ankesës.

Vendimi i Gjykatës së Prishtinës për të akuzuarit e këtij rasti

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Prishtinës më 15.03.2024 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Zoja Krasniqit për veprën penale të keqpërdorimit duke e dënuar të njëjtën me 1 vit dënim me burgim i cili dënim ishte paraparë të mbahet në gjysmë liri. Tutje, duke i shqiptuar dënim plotësues që në periudhë kohore prej 3 vitesh do t’i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kurse të akuzuarën Albulena Rama- Gashi, për veprën penale të mashtrimit me subvencione e kishte dënuar me 1 vit dënim me burgim në gjysmë liri dhe 3 vite ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike.

Gjykata Themelore me aktgjykim i kishte detyruar Zoja Krasniqin që Komunës së Prishtinës t’i kompensoj dëmin në shumë prej 24 mijë euro, kurse Rama Gashi, me aktgjykim është detyruar që t’i bëjë kompensim Komunës së Prishtinës në vlerë prej 13 mijë euro.

Themelorja kishte refuzuar akuzën për Zoja Krasniqin për veprën penale të konfliktit të interesit për shkak të parashkrimit absolut.

Akgjykim refuzues kishte nxjerrë Themelorja edhe ndaj të akuzuarave Dafina Çela, Albulena Rama e Arjeta Koraqi (në bashkëkryerje) për veprën penale të mashtrimit me subvencione për shkak të parashkrimit absolut.

Ndërsa për të akuzuarin Armend Gashin prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Kurse Aktgjykim lirues Themelorja kishte nxjerrë për Valon Bllacakun për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Dosja e prokurorisë

Në këtë rast të akuzuar janë ish-zyrtarja e Komunës së Prishtinës, Zoja Krasniqi, e cila po akuzohet për mashtrim me subvencione, duke u mundësuar sipas prokurorisë, familjarëve të saj (Albulena Rama – Gashi) , Dafina Çela, Arjeta Koraqi, Armend Gashi dhe Valon Bllacaku të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të Komunës së Prishtinës nga këta të pandehur është rreth 25 mijë euro.

Koha kur kanë ndodhur veprat penale është periudha kohore 2011 – 2014.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga KALLXO.com, Zoja Krasniqi, e cila në periudhën kohore kritike mbante pozitën e zyrtares në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me autoritetin e saj zyrtar.

Ajo dyshohet se që nga viti 2010 e deri në viti 2014 ka përpiluar dosje fiktive përmes të cilave u ka mundësuar familjarëve të saj – Arben dhe Armend Gashi, Albulena Rama dhe Valon Bllacaku të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme përmes subvencioneve në kuadër të Komunës së Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve familjarët e saj kanë përfituar rreth 25 mijë euro nga këto subvencione të ndara për projekte të ndryshme, e të cilat nuk u realizuan asnjëherë.

Lidhur me këto veprime, mbi Krasniqin rëndonte akuza për – keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Tutje, e akuzuara Albulena Rama – Gashi, sipas prokurorisë, në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me projekte fiktive në emër të Shpresa Krasniqit, duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj – Zoja Krasniqit.

Përmes këtyre veprimeve aktakuza thotë se, Rama – Gashi dyshohet të ketë fituar shumën 10,150 euro me ç’rast Prokuroria e ka ngarkuar me akuzën se ka kryer veprën penale – mashtrim me subvencione.

Projektet fiktive të së njëjtës i ka shfrytëzuar Dafina Çela, e cila ka aplikuar në projektet “Suksesi varet nga përpjekjet” dhe ‘’Rinia e jonë” me ç’rast akuzohet se përmes veprës penale – mashtrimi në subvencione ka përfituar shumën prej 1,115 euro.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Rama-Gashi me  Arjeta Koraqi, në bashkëkryerje kanë aplikuar për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e te rinjve në procesin e Integrimit Evropian” me ç’rast dyshohet të ketë pasur përfitim prej 800 eurosh.

Ndërsa Armend Gashi dyshohej se në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me një mal projektesh fiktive, duke shfrytëzuar pozitën e motrës së saj – të akuzuarës Zoja Krasniqit.

Përmes këtyre projekteve, Gashi dyshohet të ketë përfituar mbi 10 mijë euro.

Kurse me dy projekte fiktive kishte aplikuar Valon Bllacaku, i cili duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të tij – të akuzuarës Krasniqi, dyshohet të ketë përfituar shumën mbi 2 mijë euro.

Gjithnjë sipas prokurorisë, si rrjedhojë e të gjitha veprimeve të lartcekura, Komuna e Prishtinës si palë e dëmtuar dyshohet të ketë pësuar dëm material rreth 25 mijë euro.

Të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për këto akuza që Prokuroria i vie në barrë.