Ilustrim

Apeli liron nga akuza drejtorin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave

Gjykata e Apeli e ka liruar nga akuza Avdylkader Muçaj, drejtorin e Departamentit Ligjor dhe Licencimit në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës.

Muçaj muaj më parë ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, për çka ishte dënuar me një vit burgim.

Gjykata e Apelit tha se pasi shqyrtoi me kujdes pretendimet ankimore dhe i vlerësoi shkresat e lëndës, gjeti se Gjykata e Prishtinës e ka bërë vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe me këtë gabimisht e ka shpallur fajtor të akuzuarin për veprën penale për të cilën është akuzuar.

“Për shkak se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e dëshmojnë se i akuzuari ka kryer veprën për të cilën është akuzuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit konstaton se i akuzuari ka vepruar në përputhje me autorizimet e tij sipas Ligjit për Hekurudhat dhe akteve tjera nënligjore të ARH-së, nuk i ka tejkaluar autorizimet apo detyrat zyrtare dhe nuk ka pasur  prova që e kanë dëshmuar  se i njëjti kishte për qëllim dëmtimin e kompanisë “Railtrans”, apo përfitimin e Kompanisë Publike Trainkos.

Gjykata e Prishtinës kishte konstatuar se Muçaj në vitin 2014,  në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht Drejtorit/Kryesuesit të Departamentit Ligjor dhe Licencim të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARrH), në emër të institucionit të lartcekur, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje direkte,  ka lëshuar vendimin me të cilën ka revokuar në mënyrë të kundërligjshme licencën për transport hekurudhor të mallrave të ndërmarrjes “Railtrans”.

Sipas Gjykatës, këtë vendim Muçaj e kishte lëshuar në emër të AReH-së, dhe si pasojë i ka sjell përfitim operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”,  dhe njëkohësisht i shkakton dëm material të dëmtuarës – kompanisë “Railtrans” në vlerë rreth 1.2 milion euro.