Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Apeli: Lënda për vrasjen e Oliver Ivanoviqit është në procedurë të vendosjes

Apeli pas tre muajve pritet të vendosë lidhur me  aktakuzën e ngritur për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq në janar të vitit 2018.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi për informim i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

Jashari tha se “ lënda është në procedurë të vendosjes”.

Lënda gjendet në shkallë të dytë sipas ankesës së mbrojtësve të të akuzuarëve të cilët kanë kundërshtuar provat dhe  kërkojnë nga Apeli të hedh aktakuzën.

Kjo pasi Gjykata e Prishtinës, me vendim u kishte refuzuar si të pabazuara kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzon Marko Roshiqin, Nedelko Spasojeviqin, Dragisha Markoviqin, Zharko Jovanoviqin, Silvana Arsoviqin dhe Radeta Basaran se duke vepruar si grup i organizuar kriminal nën udhëheqje të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojçiqit, me veprimet e tyre inkriminuese kanë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.