Arkiv - Ramë Vataj, ish-rektor i Universitetit të Prizrenit | Foto: Facebook

Apeli kthen në rigjykim rastin e ish-rektorit Ramë Vataj

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj i cili ishte dënuar me gjobë për akuzat e cenimit të të drejtës së punës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati, Labinot Vata i cili ka thënë se pas shumë shkeljeve të bëra nga shkalla e parë rasti është kthyer në rigjykim.

“Gjykata e Apelit pas ankesës sime e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë në Prizren dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim. Apeli në këtë rast ka gjetur shumë shkelje dhe ka dhënë rekomandimet e saj”- ka deklaruar avokati Vata.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Apelit në të cilën janë konstatuar shkelje esenciale dhe shkelje të ligjit penal nga shkalla e parë.

Sipas arsyetimit të Apelit shkelja e parë ka të bëjë me dispozitivin e aktgjykimit për faktin se vepra për të cilën akuzohet Vataj bën pjesë në grupin e veprave blankete.

“Në dispozitiv të aktgjykimit nuk mund të kuptohet se cilën dispozitë e ka shkelur i akuzuari, përkatësisht mungon veprimi inkriminues i të akuzuarit në normën blankete për të cilën pretendohet se është shkelur”- thuhet në arsyetim.

Shkelje tjetër Apeli ka gjetur se shkalla e parë vetëm ka bërë ripërsëritje të procedurës ashtu që aktgjykimi ka mbetur pa arsyetim.

“Shkalla e parë shkelje ka bërë kur nuk ka dhënë arsye të qarta lidhur me faktet vendimtare me rastin e vendosjes së kësaj çështje. Gjykata e shkallës së parë vetëm ka bërë përshkrim të provave duke mos dhënë arsye bindëse të këtyre provave. Pas dëgjimit të dëshmitarëve, pa dhënë asnjë arsyetim dhe vlerësim, pa bërë një analizë kritike të provave, pra nuk kemi vlerësim të çështjes por përsëritje të shqyrtimit ashtu që aktgjykimi ka mbetur pa arsyetim”-sqarohet në vendim.

Sipas vendimit të Apelit shkelje tjetër është konstatuar se edhe pse është aprovuar propozimi i prokurorit për leximin e dëshmisë së një dëshmitari nuk merret konstatimi i mbrojtësit të të akuzuarit si dhe nuk është përshkruar deklarata e këtij dëshmitari në arsyetim.

Gjykata e shkallës së dytë ka gjetur, po ashtu se shkelja tjetër ka të bëjë me faktin se gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqitur qartë se cilat fakte dhe arsye i ka konsideruar sit ë vërtetuara apo jo të vërtetuara.

“Gjykata nuk i ka paraqitur qartë arsyet në të cilat është bazuar me rastin e vendosjes së çështjes penale veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit”-thuhet mes tjerash në arsyetim të Apelit.

Sipas Apelit, Gjykata e Prizrenit shkelje ka bërë edhe kur nuk është dhënë asnjë arsyetim dhe vlerësim lidhur me mbrojtjen e të akuzuarit, pro vetëm është konstatuar se gjykata nuk i ka falur besimin me arsyetimin e shmangies së përgjegjësisë.

“Të gjitha këto rrethana përbëjnë shkelje esenciale të dispozitave dhe shkelje të ligjit penal, të cilat kanë kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë ngase këto nuk kanë mundur të evitohen me ndryshimin e aktgjykimit të ankimuar nga ana e kolegjit të kësaj Gjykatë”-përfundohet në vendim.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi si i tillë është i paqëndrueshëm për vlerësim andaj është dashur të anulohet.

Ramë Vataj akuzohet se nga data 30 shtator 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia ka mohuar apo kufizuar personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Sipas Prokurorisë ai nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016.

Ai në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.

Me këtë i akuzuari ngarkohej se ka kryer veprën penale cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë.

Ish-rektori Vataji i kishte mohuar akuzat duke mos e pranuar fajësinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.