PTK - Foto: KALLXO.com

Apeli kthen në rigjykim dosjen e ish-shefave të PTK-së

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin lirues të datës 21 tetor 2019 ndaj ish-shefave të Postës së Kosovës, Agron Mustafës, Rexhë Gjonbalajt dhe Ejup Qerimit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Artan Qerkini mbrojtës i të akuzuarit Agron Mustafa.

“Në raport me Agron Mustafën është kthyer në rigjykim vetëm pika lidhur me zbatimin e vendimit të ARKEP me numër 381, ndërsa akuza është refuzuar për pikat e shërbimeve 3G dhe 4G, procedurën tenderuese në lidhje me Studio Ligjin si dhe ankesën në Gjykatën e Londrës”, ka thënë Qerkini.

Po ashtu, KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin Ramiz Krasniqin mbrojtësin e të akuzuarit Ejup Qerimi, i cili tha se  e di që është anuluar aktgjykimi dhe çështja është kthyer në rigjykim.

Ndërsa avokati Teki Bokshi, mbrojtës i të akuzuarit Rexhë Gjonbalaj për KALLXO.com konfirmoi që çështja është kthyer në rigjykim dhe Apeli ka rekomanduar që të analizohet aktgjykimi i Arbitrazhit të Vjenës.

Kujtojmë se me 21 tetor 2019, trupi gjykues në krye me Lutfi Shalën mori aktgjykim me të cilin të akuzuarit Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj i liroi nga akuza e Prokurorisë.

Këtë aktgjykim Prokuroria Speciale e kishte goditur me ankesë dhe lënda ishte dërguar në Gjykatën e Apelit më 20 janar 2020.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimi, si kryeshef ekzekutiv i PTK-së, akuzohet se gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa, ish-kryeshef ekzekutiv i Telekomit, nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri më 24.05.2017, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër. Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Aktakuza thotë se me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.