Apeli konfirmon rrëzimin e Aktakuzës për "Popin", thotë se Prokuroria Speciale ngriti Aktakuzë pas afatit

Gjykata e Apelit ka konfirmuar Vendimin e Gjykatës Themelore për ta rrëzuar Aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Millan Mihajloviq – “Popi”, lidhur me rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, pasi e njëjta është ngritur pas afatit kohor.

Në Aktakuzë, më 27.12.2023, Prokuroria Speciale e akuzonte Mihajloviqin, i njohur me nofkën “Popi” për: “pjesëmarrje ose organizim në grup kriminal”, “kanosje” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të gjitha këto në lidhje me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviqit.

Vendimi i Gjykatës Themelore ishte marrë më 02.07.2024, me arysen se akuza është ngritur pasi kishte tejkaluar afatet kohore të parapara me Ligj. Vulën këtij Vendimi ia ka dhënë edhe Gjykata e Apelit – duke e konsideruar si të bazuar Vendimin e Themelores për hedhje të Aktakuzës.

“Refuzohet si e pabazuar Ankesa e PSRK-së, më 17.07.2024, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore, më 02.07.2024, vërtetohet.” – thuhet në Vendimin e Apelit, më 22.01.2025.

Për këto akuza, “Popi” nuk kishte pranuar fajësinë në seancën e parë gjyqësore ndaj tij, më 12.03.2024.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit

Gjykata e Apelit duke konfirmuar gjetjet e Gjykatës Themelore ka shtuar se është vërtetuar se PSRK, pasi kishte marrë Vendim për zgjerimin e hetimeve për Mihajloviqin, nuk kishte marrë Vendim tjetër me të cilin do të pezullonte hetimet në Raport me të akuzuarin.

PSRK ia kishte dorëzuar Themelores para se të nxirrte Vendimin për hedhje të Aktakuzës një fletë kthesë si provë më 21.11.2019, me të cilën pretendohej të vërtetohej se i akuzuari ishte i përfshirë në Vendimin për pezullim, por që sipas Themelores nuk ishte përfshirë i pandehuri në pezullim të hetimeve, por ishin përfshirë të pandehurit e tjerë. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.

Sipas Apelit, pasi ishin zgjeruar hetimet për Mihajloviqin ato nuk ishin pezulluar asnjëherë nga PSRK.

Sipas Apelit afati për hetime ka rrjedhur nga 12.04.2019, duke u cilësuar veprimet e PSRK si kundërligjore në aspektin e ngritjes së Aktakuzës pas afati.

Pra, Apeli ka konstatuar se Aktakuza ndaj Mihajloviqit ishte ngritur pikërisht 4 vjet e 7 muaj pasi kishin filluar hetimet ndaj të njëjtit, pasi nuk kishte pasur pezullime të hetimeve, ndonëse Kodi i Procedurës Penale e parasheh që maksimumi i zgjatjes së hetimeve është i paraparë për tri vjet.

Këtë Vendim e kishte marrë Kolegji i Gjykatës së Apelit: Valon Dërguti, Kreshnik Radoniqi dhe Ferit Osmani.

Aktakuzën për këtë rast e ka ngritur Burim Çerkini, i cili ka përfaqësuar akuzën edhe në rastin ndaj pesë të akuzuarve në gjykimin kryesor për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq. Rasti kishte marrë epilog në Shkallë të Parë, më 28.06.2024.

Çka thotë Kodi i Procedurës Penale për pezullimin e hetimeve dhe afatin kohor për ngritje të Aktakuzës?

Fillimi i hetimeve është akt procedural që e ka në dispozicion Prokuroria që ta nxjerrë, për të filluar zyrtarisht hetimet ndaj një personi.

Aktvendimi për fillim të hetimeve mund edhe të pezullohet në rast se ekziston ndonjë rrethanë që do të pamundësonte ndjekjen penale.

Kështu Kodi i Procedurës ka paraparë që hetimet për një person mund të pezullohen në rast se: ai vuan nga ndonjë sëmundje mendore, nëse vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë, apo nëse i njëjti është në arrati.

Derisa rasti është pezulluar, sipas Kodit të Procedurës Penale ajo nuk llogaritet në periudhën e hetimeve, as në kohën e parashkrimit.

“Neni 155 – Pezullimi i hetimit – Prokurori i Shtetit mund të pezullojë hetimin me Aktvendim nëse i pandehuri pas kryerjes së veprës penale vuan nga ndonjë çrregullim ose paaftësi e përkohshme mendore, ose nga ndonjë sëmundje tjetër e rëndë; nëse është arratisur, nëse është bërë kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare, ose ekzistojnë rrethana të tjera objektive në zhvillimin e hetimeve të cilat përkohësisht e pengojnë ndjekjen me sukses të të pandehurit. 3. Prokurori merr Aktvendim për pezullimin e hetimeve vetëm në lidhje me të pandehurin për të cilin ekziston ndonjë prej rrethanave të përcaktuara në Paragrafin 1 të këtij Neni. 6. Koha derisa hetimi është pezulluar nuk llogaritet në kohën për zbatimin e hetimit, e as në kohën për parashkrimin e veprës penale.” – thuhet në Nenin 155 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Tutje, Kodi i Procedurës Penale parasheh se brenda çfarë periudhe kohore duhet të përfundohen hetimet, për të cilat veçse ka një Aktvendim për fillim të hetimeve dhe nuk ka Vendime të tjera që e pezullojnë vazhdimin e hetimeve.

Kodi i ka dhënë mundësi Prokurorisë që hetimet t’i zhvillojë për 2 vjet, deri në ngritje të Aktakuzës. Por, në rast se çështja penale është e komplikuar, ka shumë të akuzuar, i është lejuar mundësia që hetimet t’i zgjasë edhe për një vjet, vetëm kur të paraqesë arsyet për zgjatjen e hetimeve.

“Nëse hetimi është filluar, ai përfundon brenda dy (2) vjetëve. 2. Në bazë të kërkesës së Prokurorit të Shtetit, gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga Paragrafi 1 i këtij Neni deri në një (1) vjet, kur Prokurori i Shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të Prokurorit të Shtetit. Prokurori i Shtetit duhet të dëshmojë gjithashtu se ekziston ndonjëra nga rrethanat në vijim.” – thuhet në Nenin 157 të Kodit të Procedurës Penale.

Vendimi i Gjykatës Themelore për ta hedhur poshtë Aktakuzën ndaj “Popit”

Sipas Dosjes së siguruar nga KALLXO, Gjykata i ka gjetur të kundërligjshme veprimet procedurale të Prokurorisë Speciale ndaj këtij personi, për shkak se sipas Dispozitave ligjore, hetimet duhet të përfundojnë brenda 2 vjetëve, kurse ato mund të zgjasin edhe për 1 vjet. Pra, parashikojnë një afat kohor prej 3 vjetësh hetime.

Gjykata ka gjetur se koha prej Aktvendimit për zgjerim të hetimeve deri në ngritjen e Aktakuzës e ka kaluar këtë afat për më shumë se 4 vjet.

Kodi i Procedurës Penale parasheh që nëse hetimet pezullohen nuk llogariten në kohën për zbatim të hetimit, e as për kohën e parashkrimit.

Dosja tregon se Gjykata i kishte kërkuar Prokurorisë të siguronte Vendimin me të cilin janë pezulluar hetimet ndaj “Popit”, por Prokuroria nuk e kishte siguruar asnjë dokument që do të dëshmonte pezullimin e hetimeve.

Dosja shpalos se pezullim të hetimeve kishte pasur për Millan Radoiçiqin, por jo edhe për Millan Mihajlloviqin.

“Gjykata, në përpjekje për të kryer një shqyrtim të plotë dhe objektiv të lëndës, ka kërkuar nga Prokuroria që të sigurojë Aktvendimin për pezullimin e hetimit ndaj të akuzuarit Millan Mihajlloviq, edhe pse i njëjti nuk gjendet në shkresat e lëndës. Prokurori i çështjes përmes e-mailit ka njoftuar Gjykatën se e ka në posedim dëshminë e dorëzimit të Aktvendimit për pezullim të hetimeve, më 21.11.2019, e cila provë pas verifikimit nga ana e Gjykatës rezulton se është një Aktvendim për pezullim të hetimit kundër të pandehurit Millan Radoiçiq. Ndërsa, për të akuzuarin Millan Mihajlloviq nuk ka marrë ndonjë dokument të tillë nga Prokuroria.” – thuhet në Dosjen e siguruar, që mban datën 02.07.2024.

Përveç se Gjykata ka gjetur se nuk kishte pasur pezullim të hetimeve, Prokuroria nuk e kishte paraqitur gjithashtu Aktakuzën 3 muaj pas hetimeve, ashtu siç parashihet me legjislacion.

“Meqenëse në këtë çështje penale hetimet nuk janë pezulluar, Prokuroria ishte e detyruar që të paraqiste Aktakuzën brenda 3 muajve pas hetimeve. Pasi që hetimet filluan më 12.04.2019, ato duhej të përfundonin më 12.04.2022. Sipas këtij afati, akuza duhej të procedohej brenda këtij viti (2022). Ajo u procedua më 27.12.2023.” – përshkruhet në Dosje.

Kjo nuk është e gjitha.

Gjykata, pas hulumtimit të lëndës, ka gjetur se edhe Vendimi për zgjerim të hetimeve nuk përmbante veprat penale për të cilat është ngritur Aktakuza nga prokurori special, Burim Çerkini.

Aktakuza është ngritur për veprat penale: “pjesëmarrje ose organizmi i grupit kriminal”, lidhur me veprën penale “pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, “kanosje” dhe “falsifikim i dokumenteve”. Kurse, sipas Gjykatës hetimet ishin për veprat penale: “pjesëmarrje ose organizmi i grupit kriminal”, “rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara dhe personelit në marrëdhënie me to”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “vrasje e rëndë”.

Në përmbledhjen e Vendimit të gjyqtarit Lutfi Shala përshkruhet se për shkak të këtyre veprimeve të Prokurorisë, akuza e ngritur jashtë çdo afati ligjor “është e kundërligjshme dhe pa bazë për t’u vazhduar në shqyrtim meritor në provim të gjendjes faktike”.

Në fund, Gjykata ka konstatuar se për veprën penale të kanosjes, ndaj këtij personi është duke u zhvilluar procedurë penale paralelisht në Gjykatën e Mitrovicës dhe akuza për këtë vepër penale ndaj tij mban datën 13.02.2023 dhe është në fazën e shqyrtimit.

 

Kush është Millan Mihajloviq – POPI, i akuzuari i fundit në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit