Foto: KALLXO.com

Apeli konfirmon aktakuzën për shkelje të privatësisë ndaj Milaim Zekajt

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-deputetit Milaim Zeka, nën dyshimin se ka kryer veprën penale – fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara.

Në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Zeka, avokatit Florent Latifaj.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e mbrojtësit nuk janë të bazuara, e se është i drejtë dhe i ligjshëm vendimi i gjykatës së shkallës së parë më të cilin është refuzuar kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hedhje të aktakuzës.

Po ashtu, kjo gjykatë ka vlerësuar se në këtë fazë është relevante fakti se aktakuza është e përpiluar në përputhje me dispozitat ligjore dhe se nuk përmban të meta që pamundësojnë zhvillimin e procedurës.

Gjykata ka vlerësuar se provat në shkresat e lëndës nuk janë kontestuese e nuk janë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i akuzuari Milaim Zeka në maj të vitit 2017, në një restorant në Prishtinë, pa autorizim e ka incizuar palën e dëmtuar B.D., e më pastaj duke u bazuar në atë incizim, sipas prokurorisë, i njëjti në rrjetin social “Facebook”, e ka publikuar edhe një artikull që aludonte në tani të dëmtuarën, duke përfshirë kështu jetën e saj private.

Me anë të këtyre veprimeve, prokuroria po pretendon se Milaim Zeka e ka cenuar privatësinë e të dëmtuarës B.D.

Dy ditë më parë, Zeka u shpall i pafajshëm në rastin e mashtrimit me viza.