Ragip Begaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Malishevës

Departamenti special i Gjykatës së Apelit përmes një vendimi ka refuzuar si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtjes së ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Sipas njoftimit, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit ankimor, Gjykata ka konstatuar se ankesa e mbrojtësve është e pabazuar, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Në këtë aktvendim, më 8 shtator 2021 ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruara nga mbrojtësi i të pandehurit Ragip Begaj.

Prokuroria e akuzon Ragip Begajn për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arsyeja për të cilën akuzohet Begaj, sipas Prokurorisë, është se në vazhdimësi në cilësinë e personit zyrtar ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Në vazhdimësi në cilësinë e personit zyrtar i pandehuri ka kryer veprën penale me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm shtetasit R.R. dhe buxhetit të Komunës”, thuhet në aktakuzë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.