Shpallja e akgjykimit ndaj Naser Pajazitajt - 25.03.2019 FOTO KALLXO

Apeli ia zbut dënimin të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Pas ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit Naser Pajazitaj, Gjykata e Apelit ia ka zbritur dënimin Pajazitajt nga dënim i përjetshëm në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 35 vjetësh.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Gentiana Hoxha, zëdhënëse në Gjykatën e Ferizajit.

“Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësve, ka marrë  vendim me të cilin i ka ulur dënimin nga dënim burgimi i përjetshëm, në 35 vjet dënim burgimi për të pandehurin N.P.”- tha për KALLXO.com, Gentiana Hoxha.

I njëjti akuzohet për vrasje të rëndë të Donjeta Pajazitaj në vitin 2015 duke e qëlluar me dy plumba në kokë.

Kujtojmë që në qershor të po këtij viti Gjykata në Ferizaj në rigjykim kishte dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Naser Pajazitajn.

Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i Lajthisë’.

Tutje sipas aktakuzë i pandehuri me dy plumba në kokë e kishte vrarë e më pastaj për të humbur gjurmët e tashmë të ndjerës, të njëjtën e kishte mbuluar me drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Më pas, Gjykata Supreme në nëntor të vitit 2019 i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës, edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm.

Në këtë situatë, Gjykata e Pejës ishte përjashtuar nga gjykimi dhe lënda i ishte deleguar Gjykatës së Ferizajt.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë çështje i gjeni në këtë LINK.