Apeli ia kthen prapa vendimin Themelores me të cilin e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Dibran Hoxhës
Gjykata e Apelit ka kthyer në rishqyrtim vendimin e Themelores me të cilin kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ndaj Dibran Hoxhës dhe katër të tjerëve për vrasjen e të riut nga Kukësi në janar të vitit 2023.
“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të pandehurit, Dibran Hoxhaj dhe Roland Susurit, sipas detyrës zyrtare, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – departamenti special, i datës 29.04.2024 ANULOHET dhe çështja e i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendoje”- thuhet në vendimin e Apelit 16.07.2024.
Pasi më 07.03.2024, Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj, nuk kishin pranuar fajësinë lidhur me veprat penale që prokuroria i ngarkonte.
Rrjedhimisht, mbrojta e të akuzuarve Dibran Hoxhaj, avokati Florent Latifaj, avokati Jeton Rekathati për të akuzuarin Jesmir Badallaj dhe avokatja Sahadete Gashi për të pandehurin Roland Susuri, kishin kundërshtuar provat dhe kishin paraqitur kërkesat që të hudhet aktakuza, por që Gjykata Themelore më 29.04.2024 kishte refuzuar këto kërkesa.
Sipas Apelit, vendimi i Themelores për të hedhur poshtë kërkesat për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, pasi që diapozitivi është kundërthënës në brendinë e tij dhe se arsyetimi në tërësi me faktet gjenden në shkresa të lëndës.
Sipas apelit, arsyetimi i aktvendimit i cili përmban disa fakte janë paraqitur të paqarta dhe në kundërshtim të konsiderueshëm me atë që paraqitet në aktakuzë dhe në procesverbale duke e bërë aktvendimin e Themelores të paqëndrueshëm në aspektin procedural por edhe në pikëpamje të vërtetimit të gjendjes faktike.
Sipas Apelit, në rishqyrtim Themelorja duhet ta vlerësojë aktin akuzues sa i përket aspektit të përmbushjes ligjore të aktakuzës.
Dosja e Prokurorisë
Dibran Hoxhaj po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës Visar Cengu më 03.01.2023 në afërsi të lokalit të tij “Cobra City” në Prizren.
Sipas aktakuzës vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri tek vrasja çoi një faturë e lartë në lokal e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve Rutgen Tsyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas dosjes, kanë hyrë në veturë për t`u larguar por në atë kohë arrin Kobra i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Kështu, në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur e në atë moment Kobra e ka hapur derën e shoferit ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsyatkova.
Më pas, dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës, i cili rrugës për në spital ka ndërruar jetë.
Për këtë, prokuroria e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë si dhe për armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq, të akuzuarit Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për manipulim me prova.
Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Ndërsa Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Raportimet e Kallxo – LINK