Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli ia kthen në gjobë dënimin me burgim inspektorit të ndërtimit nga Prizreni

Inspektorit të ndërtimit nga Prizreni, Nexhemdin Musliut dënimi me burg i është zëvëndësuar në dënim me gjobë nga Gjykata e Apelit.

“Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit përkitazi me sanksionin penal-dënimin ashtu që Gjykata e Apelit, Nexhmedin Musliut i përcakton dënim me burgim prej 6 muaj i cili dënim i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë e 500 euro”- thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Musliu nga shkalla e parë ishte dënuar me 8 muaj burgim efektiv për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues -ndalimi i ushtrimit të funsioneve në administratë publike për një vit.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, mirëpo i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje.

Ankesë në Apel ka parashtruar Valbonë Morina, avokate e të akuzuarit. Në lidhje me këtë Apeli ka gjetur se pretendimet e mbrojtëses për një dënim më të butë janë të bazuara.

Në vendimin që KALLXO.com ka siguruar, shkalla e dytë ka vlerësuar se shqiptimi me 8 muaj burg është i ashpër.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë me 8 muaj burg, në rrethanat e çështjes rezulton se është dënim i ashpër, duke pasur parasysh faktin se i akuzuari ka pranuar fajësinë të cilës rrethanë nuk i është dhënë rëndësia e duhur në rastin e caktimit të dënimit”- sqarohet në aktgjykim.

Për rrethanat e tjera si pendimi thellë, është mbajtës i vetëm i familjes, është i gjendjes së dobët ekonomike, është në moshë të shtyer, premtimi se në të ardhmen do të përmbahet nga veprime të tilla sipas Apelit tregojnë se edhe me një dënim më të ulët mund të arrihet qëllimi ndëshkimor nga neni 38 KPRK-së.

“Kjo gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë të të akuzuarit si ekzekutor, dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprës penale në të ardhmen si dhe të parandalohen personat e tjerë”- përshkruhet në aktgjykim.

Sipas aktakuzës të datës 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu po akuzohej se prej nëntorit të vitit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas Prokurorisë, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve R. F., dhe T. H., u ka mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.

I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.