Apeli i Policisë së Kosovës për fundvit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përgatitur një plan të veçantë operativ për për festat e fund-vitit të quajtur “Fund Viti – 2019 dhe fillimi i 2020”.

Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, shtimi i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale, si dhe parandalimi i rasteve të mundshme të natyrave të ndryshme.

Po ashtu pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore në komunikacionin rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe incidenteve të mundshme në trafik.

Policia e Kosovës apeloi tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore, të respektojnë shenjat e trafikut, të ju përmbahen kushteve të rrugës si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.

Po ashtu PK-ja me theks të veçantë apelon tek çdo prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike sidomos nga fëmijët. Kjo me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të rënda.

“Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarr të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme”, përfundon apeli i PK-së.