Apeli i Hoti pas hyrjes në fuqi të "orës policore": Mos e shtoni numrin e të infektuarve nga pakujdesia

Kryeministri i vendit Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje tek qytetarët që të ndihmojnë në respektimin e masave të vendosura nga Qeveria e vendit.

“Të nderuar qytetarë, nga sonte janë në fuqi masat e reja për secilën komunë bazuar në numrit e të infektuarve në shtatë ditët e fundit. Pa ndihmën e juaj nuk mund të arrijmë sukses. Mjekët, infermierët, stafi teknik, policia, inspektoratet dhe shtabet emergjente, janë në krye të detyrës”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka bërë thirrje tek qytetarët që të mos ua vështirësoni atyre punën dhe vetes jetën.

“Mos e shtoni numrin e të infektuarve nga pakujdesia”, thuhet në postimin e Hotit.

Sot ka filluar zbatimi i masave të reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Ministria ka rinjoftuar se në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 9 komuna si: Komuna e Prishtinës, Fushë -Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Shtimes, Podujevës dhe Pejës dhe Ferizaj.

“Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm me 76 deri me 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat (19) në vijim: Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Leposavic, Deçan, Klinë, Drenas, Prizren, Hani i Elezit, Suhareka, Lipjani, Graçanica, Novobërda, Kamenica, Ranillugu, Parteshi, Vitia dhe Kaqaniku dhe Kllokoti”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ndërsa, në zonën e gjelbërt bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët, me 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat si në vijim:Malisheva, Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Rahoveci, Juniku, Skenderaj, Istogu, Zubin Potoku dhe Zveçani.