Gjykimi i Gafurr Rexhës Foto: Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Apeli i ashpërson dënimin ish- inspektorit në Prishtinë të dënuar për ryshfet

Gafurr Rexhës, ish- inspektor i ndërtimit në Komunë të Prishtinës  i është rritur dënimi në 2 vite e gjysmë, nga 1 vjet burgim sa ishte dënuar muaj më parë, nga ana e Gjykatës së Prishtinës.

Apeli të njëjtit i ka shqiptuar dhe dënimin plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike, në kohëzgjatje prej 5 vitesh, dënim i cili do t’i ekzekutohet pas vuajtjes së dënimit me burg.

Ndërsa dënimin me gjobë prej 3 mijë eurove, e ka marrë si të vërtetuar.

Gjykata e Apelit, ka gjetur se shkalla e parë, nuk ka vlerësuar drejt rrethanat lehtësuese dhe rënduese dhe kjo ka ndikuar në shqiptimin e një dënimi jo të drejtë, në raport me veprën e kryer.

Po ashtu kjo Gjykatë ka marrë si rrethanë rënduese faktin se i akuzuari i ka shfrytëzuar hapësirat e një restoranti për aktivitetin e tij korruptiv. Pastaj si rrethana tjera rënduese janë vlerësuar pasojat e rënda të veprës penale si dhe pesha e pozitës zyrtare të akuzuarit.

Aktakuza thotë se Rexha më 29 shtator 2020, si person zyrtar respektivisht inspektor i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar për vete ryshfet shumën e të hollave prej 12 mijë euro nga i dëmtuari Naim Berisha, pronar i firmës ndërtimore “Berisha Group”.

Këtë veprim sipas Prokurorisë ai e ka bërë në mënyrë që të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, pasi që paraprakisht i kishte ndalur punimet të dëmtuarit, në objektin me leje ndërtimi që ishte në ndërtim e sipër te Lagjja e Spitalit në Prishtinë.

Më pastaj, ai kishte shkuar një ditë tjetër tek i njëjti dhe në emër të lëshimit të lejes për vazhdimin e punimeve i kishte kërkuar shumën e të hollave si më lart.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari rastin e kishte paraqitur në Polici dhe gjatë zbatimit të masave të fshehta, pasi ishte takuar me të dëmtuarin në një kafene në lagjen “Tophane” në Prishtinë, në të njëjtën ditë rreth orës 17:00 nga i njëjti në zarf me mbishkrimin “Berisha Group”, kishte pranuar këtë shumë të të hollave, të cilat zyrtarët policorë menjëherë pasi e kishin arrestuar ia kishin gjetur çantën aty.

Dënohet me burg inspektori i ndërtimit i Komunës së Prishtinës i kapur në flagrancë duke marrë ryshfet