FOTO ARKIV: Xhabir Zharku

Apeli e lë në paraburgim Xhabir Zharkun

Ish- Kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku do të mbetet në paraburgim deri më 5 maj pasi që Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Ferizajt dhe ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Zharkut.

Këtë për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Gjykata e Apelit ka vendosur lidhur me ankesën e mbrojtjes së Xhabir Zharkut, ankesa është refuzuar dhe ka mbetur në fuqi vendimi i Gjykatës së Ferizajt”, tha ai.

Gjykata e Ferizajt me datë 11 mars, pas kërkesës së prokurorit për vazhdimin e paraburgimit , vendosi që Xhabir Zharkut t’ia vazhdojë paraburgimin edhe për dy muaj.

Kujtojmë se Xhabir Zharku ishte arrestuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar në Aeroportin e Prishtinës nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare në periudha të ndryshme kohore në kohën sa ka qenë kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Xhabir Zharku po qëndron në paraburgim nga data 15 dhjetor e vitit të kaluar.

Zharku ishte arrestuar në Aeroportin e Prishtinës në përpjekje për t’u larguar nga Kosova.