FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Apeli e lë në burg drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Lavdim Krasniqit dhe masën e arrestit shtëpiak ndaj Marigona Berishës.

Gjithashtu i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykata e Prishtinës  me datë 03 mars 2021 kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.

Kurse zyrtares së lartë ekzekutive të KPK-së, Marigona Berisha, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, gjatë seancës paraprake që është mbajtur sot, prokurori Zejnullah Gashi ka ndryshuar kërkesën ndaj të dyshuarës Marigona Berisha për caktim të masës së sigurisë nga ajo për caktim të paraburgimit në atë të arrestit shtëpiak.

Krasniqi po dyshohet për veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, ushtrim i ndikimit, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Kurse, Berisha dyshohet për moslajmërim të veprës penale.

KALLXO.com ka raportuar se Lavdim Krasniqi dhe Marigona Berisha nga Këshilli Prokurorial i Kosovës janë arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike.

Kurse Këshilli Prokurorial i Kosovës dje ka njoftuar se pas fillimit të procedurës penale ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente.

Lavdim Krasniqi suspendohet nga KPK me 50% të pagës