Apeli e kthen në rivendosje vendimin për riorganizimin e shkollave në Kamenicë

Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për fazën e tretë të ‘riorganizimit’ të shkollave në Komunën e Kamenicës, Gjykata e Apelit ka marrë vendim që çështjen ta kthej në rivendosje.

Me vendimin e datës 2 nëntor 2020, Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që t`u japë të drejtë 25 prindërve nga fshatrat e Kamenicës, të cilët Gjykatës së Prishtinës i kishin propozuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të datës 10 shtator 2020, të marrë nga Komuna e Kamenicës, vendim me anë të të cilit parashihet riorganizimi i disa shkollave të fshatrave: Petroc, Topanicë, Karaçevë e Epërme, Karaqevë e Poshtme, Shipashnicë e Epërme dhe Hogosht.

E ndaj këtij vendimi të Themelores, Komuna e Kamenicës ishte ankuar në Gjykatën e Apelit.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 11 nëntor, e cila pas shqyrtimit të ankesës, ka gjetur se aktvendimi i Gjykatës së Prishtinës duhet të kthehet edhe njëherë në rivendosje.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit ka gjetur se Gjykata e Prishtinës në aktvendimin e saj për aprovimin e kërkesës së prindërve nga Kamenica, nuk ka dhënë asnjë arsye lidhur me këtë vendim.

Sipas Gjykatës së shkallës së dytë, aktvendimi i Gjykatës së shkallës së parë është i mangët dhe nuk posedon vlerësim të fakteve vendimtare, siç është mundësia e shkaktimit të dëmit të pariparueshëm.

Gjykata e Apelit konsideron se Gjykata e Prishtinës me rastin e vendosjes lidhur me kërkesën e prindërve, nuk ka mundur fare t`i vlerësoj faktet dhe provat, kjo për shkak se të njëjtat nuk janë paraqitur në propozim, prandaj sipas Apelit kjo ka rezultuar me pamundësinë për vërtetimin e plotë të gjendjes faktike.

M`u për këto rrethana, Gjykata e Apelit i ka rekomanduar Gjykatës së Prishtinës që në rivendosje t’i obligoj paditësit që Gjykatës t’i prezantojnë provat apo faktet e bindshme se me ekzekutimin e vendimit kontestues do të mund të shkaktohej dëm i pariparueshëm apo që ekzekutimi i të njëjtit është në dëm të interesit shoqëror.

Më 9 shtator, Komuna e Kamenicës kishte marrë vendim që të vazhdonte me fazën e 3-të të riorganizimit të shkollave.

Ky vendim përfshinë shkollat në fshatrat: Karaçevë e Epërme, e Poshtme, Topanicë, Petroc, Hogosht, Kopërnicë, Liskovë, Dazhnicë, dhe paralelet e ndara në Velegllavë, Poliçkë, Shipashnicë të Epërme, të Poshtmë, Lajçiç, Tërstenë, Sedllar, Muçiverc, Kranidell, Dajkoc.

Mirëpo as ky vendim, sikurse dy vendimet e para nuk u përkrahën nga prindërit e nxënësve.

Të pakënaqur me vendimin e Komunës së Kamenicës, 25 prindër të kësaj komune, të prekur nga ky vendim, çështjen e kanë dërguar në Gjykatë.

Me anë të padisë së ushtruar, 25 prindërit e përfaqësuar nga zyra ligjore ABOliver & Associates, me përfaqësuesit ligjor Alexander Borg Oliver dhe Besim Osmani, po e kontestojnë vendimin e kësaj komune, me ç’rast po kërkojnë anulimin e këtij vendimi, si dhe shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit deri në vendosjen meritore lidhur me këtë çështje.

 

Gjykata vendos ta pezullojë vendimin e fundit të Qëndron Kastratit për riorganizimin e shkollave

Pavarësisht kundërshtimeve, Qëndron Kastrati vazhdon me riorganizim të shkollave në Kamenicë