Apeli e kthen në rishqyrtim aktakuzën rastin e dëbimit të ‘gylenistëve’

Më pak se tre muaj pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj sh-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Driton Gashi, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi si dhe drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani – Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rivendosje.

Përmes një njoftimi për media, Apeli ka njoftuar se ka pranuar ankesën e mbrojtësve të akuzuarve duke anuluar vendimin e Gjykatës Themelore me të cilin ishte konfirmuar aktakuza, e po ashtu ka refuzuar ankesën e Prokurorisë ndaj cilësimit si të papranueshme të disa provave – deklarimeve të dëshmitarëve duke vërtetuar kështu vendimin e Themelores për këtë pjesë.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në pjesën ku janë shpallur si të papranueshme, një pjesë e provave, përkatësisht deklaratat e disa dëshmitarëve është vërtetuar, ndërkaq pjesa tjetër e aktvendimit më të cilën janë refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, është kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

Aktakuza e ngritur në shkurt të këtij viti ka të bëjë me depërtimin e gjashtë shtetasve turq në mëngjesin e 29 marsit 2018, që në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u depërtuan për në Turqi.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Driton Gashi dhe Valon Krasniqi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa i pandehuri Rrahman Sylejmani ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së të cilët depërtimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Seanca fillestare lidhur me këtë rast është mbajtur në mars të këtij viti ndërsa të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndërsa në muaj maj, Gjykata Themelore e Prishtinës refuzoi kërkesat për hudhje të aktakuzës duke e konfirmuar aktakuzën.