Apeli e anulon vendimin e Themelores, Liburn Aliut i mbetet ende aktive aktakuza

Rreth dy muaj pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës e Prishtinës e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Ministrit Liburn Aliu dhe të tjerëve, Gjykata e Apelit e ka anuluar këtë vendim dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje edhe njëherë në Gjykatën Themelore.

Përmes një njoftimi për media, Gjykata e Apelit njofton se ka aprovuar ankesën e Prokurorisë.

“Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në çështjen penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K.,B.U. dhe M.B-P. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje“, thuhet në njoftimin e Apelit.

Në njoftimin e Apelit thuhet se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së PTH-së në Prishtinë, në këtë çështje penalo-juridike, vlerësoj se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin e datës 14.06.2021, kishte hedh aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 24.07.2020 dhe kishte pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K.,B.U. dhe M.B-P.