Apeli do të shqyrtojë ankesat e tre të akuzuarve për sulm ndaj Valon Sylës

Seanca e kolegjit në Gjykatën e Apelit lidhur me shqyrtimin e ankesave ndaj aktgjykimit dënues për të akuzuarit Lum Dervishi, Okan Hasani dhe Kenan Hasani, të akuzuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla është mbajtur të hënën më 09.09.2024.

Gjykata për lëndim të lehtë trupor mori vendim dhe tre të akuzuarit secilin veç e veç i dënoi me nga dy vite dënim me burgim, më datë 07.12.2023.

Asnjëri nga të akuzuarit, por as nga Prokuroria nuk ishte prezent në seancën e Gjykatës së Apelit më 09.09.2024. Po ashtu as i dëmtuari Valon Syla nuk ishte prezent.

Gjyqtari Vaton Durguti bëri të ditur se e pakënaqur lidhur me vendimin e themelores është prokuroria e cila ka paraqitur ankesë në Apel për shkak të vendimit mbi dënimin me propozim që gjykata të shqiptojë të akuzuarve një dënim më të lartë sipas kodit të procedurës penale.

Avokatja e Lum Devishaj, Mimoza Zabeli Sinani nga Gjykata e Apelit kërkoi që vendimi i gjykatës themelore të anulohet dhe çështjen ta kthejë në rigjykim ose aktgjykimin i themelores të ndryshohet në favore të akuzuarit të saj.

“Në cilësinë e përfaqësues mbrojtjes së Lum Dervishaj konfirmojmë se mbetemi në tërësi pranë kërkesës të parashtruar në formë të shkruar pranë kësaj gjykatë” – tha avokatja Mimoza Zabeli Sinani, e cila mbron të akuzuarin Lum Dervishaj.

Në ankesën kundër aktgjykimit të themelores avokati Rrahim Ajeti që përfaqëson të akuzuarin Okan Hasani për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vendimin mbi sanksionin penal i propozoj Apelit ta anulojë aktgjykimin e ankimuar dhe çështjen ta kthejë në rigjykim ose të akuzuarit të i shqiptojë dënim me kusht.

“Ankesë po ashtu ka paraqitur edhe avokati Ridvan Kajtazi i cili është mbrojtësi i të akuzuarit për shkak të gjitha bazave ankimore me propozim që ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës se parë dhe të akuzuarin të i shqiptojë dënim me kusht” – njoftoi gjyqtari Vaton Durguti lidhur me ankesën që ka parashtruar avokati Ridvan Kajtazi për Kenan Hasanin.

Prokuroria e Apelit me parashtresën e datës 02.05.2024 ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale dhe si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve.

“Ne vetëm pajtohemi me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, konsiderojmë se aktgjykimi i shkallës së parë ka pasqyruar në mënyrë të saktë gjendjen faktike dhe ka aplikuar drejt ligjin andaj edhe lartësia e dënimit ka qenë në përputhje me rrethanat dhe përgjithësi më atë çka është konstatuar gjatë gjykimit të shkallës së parë dhe në veçanti me sjelljen e palëve të akuzuarve karshi edhe palës së dëmtuar por edhe karshi trupit gjykues andaj konsiderojmë se ai aktgjykim është i drejtë dhe si i tillë duhet me u aprovu dhe vërtetu nga gjykata e Apelit” – tha avokati Kushtrim Palushi gjatë seancës së sotme i cili është përfaqësues i palës së dëmtuar, Valon Sylës.

Ky rast po trajtohet në përbërje të kolegjit të gjyqtarëve nga Vaton Durguti (gjyqtar referues) dhe dy gjyqtarët Kreshnik Radoniqi dhe Mentor Bajraktari.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Lum Dervishi, Okan Hasani dhe Kenan Hasani më datë 11.04.2023, rreth orës 23:00, për motive ideologjike, ekstreme radikale Islamike, kanë lënduar lehtë të dëmtuarin Valon Syla.

Pas një publikimi që ky i fundit kishte bërë në rrjetin e tij social në Facebook, e që kishte të bënte me profetin Muhamed.

Të njëjtit e kishin përcjellë të dëmtuarin nga televizioni T7, deri në restorantin në lagjen Bregu i diellit “Imagine”, ku kanë filluar ta sulmojnë me grushte në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Kështu i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Kështu të njëjtit sipas Prokurorisë Speciale kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje.