Apeli anulon dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen në Ferizaj

Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt me burgim të përjetshëm për të akuzuarin Trimor Lalinovci.

Apeli ka marrë vendim që dënimi këtij të akuzuari për vrasje të rëndë t’i ulet në 30 vjet.

Në nëntor të vitit të kaluar i akuzuari Lalinovci ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

“Gjykata e Apelit shqyrtoi rrethanat lehtësuese dhe renduese të cilat i ka pasur parasysh gjykata e shkallës së parë, dhe vlerësoi se në rastin konkret, dënimi më burgim të përjetshëm, është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, si pranimi i fajësisë, mosha e re e të akuzuarit si dhe keqardhja e shprehur nga ana e tij, e të cilat rrethana parashihen në nenin 70 paragrafi 3, pika 3.6, 3.10, dhe 3.11 të KPRK-së. Nisur nga këto Gjykata vlerësoi se edhe më këtë sanksion penal, mund të arrihet qëllimi i dënimit, i përcaktuar me ligj”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm.

I pandehuri Lalinovci akuzohet se me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka vrarë tani të ndjerin Shkodran Bytyqi, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqë të njëjtit ishin njohur më parë me rastin e shitblerjes së një parcele në shumë prej 157,000 euro të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri dhe mënyra e pagesës kishte qenë me rata, por meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14,000 euro, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat.

Aktakuza thotë se pastaj me t’u takuar me të ndjerin ata nisen në drejtim të fshatit Prelez, me ç ‘rast pas një bisede i pandehuri e ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon njëherë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Sipas prokurorisë, pas aktit të kryer, ai e thërret të pandehurin – vëllain e tij, në mënyrë që ta ndihmojë dhe së bashku shkojnë tek vendi i ngjarjes, marrin trupin e të ndjerit dhe e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapole Komuna Gjilan, e hudhin në një përrockë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale.

Aktakuza thotë se pas kësaj i pandehuri i vetëm shkon te pompa e derivateve merr një sasi të benzinës dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hudhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkat me benzinë dhe ia vë flakën, më pas përdor telefonin e të ndjerit dhe dërgon sms babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke u shkruar në sms se i ka marrë të hollat dhe është nisur për në Gjilan për ta takuar një person.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”  kishte bërë një hulumtim rreth kësaj vrasjeje.

Burgim i përjetshëm për vrasjen në Ferizaj (VIDEO)