FOTO - SYLEJMAN KLLOKOQI -Assosiated Press

AP: Familjet kosovare kërkojnë përgjigje 21 vjet pas luftës

Çabër, Kosovë (Assosiated Press)  –   Halil Hasani, është i bindur që katër djemtë e tij janë gjallë dhe burgosen diku në Serbi, pak më shumë se dy dekada pasi policia dhe forcat paraushtarake ia morën ata nga një fshat i Kosovës.

Në atë kohë, një kryengritje e armatosur nga shqiptarët kishte çuar në një sulm të përgjakshëm, një krizë ndërkombëtare humanitare dhe një fushatë të bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Lufta e viteve 1998-1999 la më shumë se 10,000 njerëz të vdekur dhe 6500 të zhdukur. Shkencëtarët mjeko-ligjorë janë ende në kërkim të varreve të fshehura.

Hasani, 74 vjeç, mban katër fotografi gjithmonë pranë zemrës së tij, një për secilin nga djemtë e tij të zhdukur. Fadilin, atëherë 32 vjeç, Gazmendin, 24 vjeç, Armendi 20 vjeç dhe Hasani 15-vjeçar, të cilët u kapën në 8 qershor 1999, një ditë përpara se Serbia të nënshkruaj marrëveshjen me NATO-n për t’u tërhequr nga Kosova.

Kanë kaluar pothuajse 21 vjet, por babai i tyre nuk e ka humbur shpresën për t’i parë përsëri. Lista e personave që konsiderohen zyrtarisht të zhdukur në Kosovë nga lufta është zbritur në 1641 emra. Hasani ankohet se autoritetet kosovare nuk po bëjnë sa duhet për të gjetur dhe liruar djemtë e tij.

“Sipas informacionit që unë kam, ata janë të gjallë”, tha ai.

Udhëheqësi serb, Sllobodan Millosheviq, ushtarët e tij dhe policia serbe kishin bërë përpjekje që të fshehin trupat e ushtarëve shqiptarë dhe civil nga Kosova duke u munduar të fshehin masakrat dhe krimet e tyre. Disa varre masive me trupa të shqiptarëve u zbuluan në Serbi pas luftës.

Kosova shpalli pavarësinë në 2008 dhe Serbia nuk e njeh atë si një shtet të pavarur. Tensionet mes të dy vendeve mbeten të larta. Por, përpjekjet për të identifikuar mbetjet nga të dy anët e luftës brutale kanë vazhduar në Serbi dhe Kosovë për të përcaktuar nëse personat e zhdukur mund të deklarohen të vdekur dhe trupat të riatdhesohen në vendet e tyre, shkruan The Associated Press.

Kreu i Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit i krijuar në Kosovë pas deklaratës së pavarësisë, Lars-Gunnar Wigemark, pyetjet pa përgjigje të familjeve që kanë humbur të afërmit i quajti si “një nga trashëgimitë më shkatërruese të konflikteve në ish-Jugosllavi”.

“Kërkimi i të zhdukurve pas një konflikti të armatosur është një proces i dhimbshëm, i ndërlikuar dhe kërkon kohë”, tha Wigemark.

“Pavarësisht vështirësive, duhet të ketë gatishmëri nga të dy palët për të shkëmbyer informacione, për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjen”.

Misioni i BE-së ka kryer 651 operacione në terren gjatë rreth një dekade, duke rezultuar në identifikimin e mbetjeve të 311 individëve të listuar më parë si të zhdukur.

Javier Naranjo, arkeolog i forenzikës që ka punuar në Kosovë për tre vjet, tha se gjatë luftës “autorët fshehën kufomat në varre më të vogla, klandestine, madje edhe në varreza, për ta bërë më të vështirë kërkimin e njerëzve të zhdukur”.

Puna e vazhdueshme pengohet nga mungesa e informacionit të besueshëm për vendndodhjen e varreve, vdekjet e dëshmitarëve me kalimin e kohës dhe frika e njerëzve nga që të ndajnë informacionet nga e kaluara traumatike. Disa familje të të zhdukurve refuzojnë të japin mostra për analizën e ADN-së.

Lista e të zhdukurve e përgatitur në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare pas luftës përfshin serbë etnikë si dhe shqiptarë.

Arsim Gërxhaliu, ekspert në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, tha se shtatë nga 10 të vdekurit e luftës që janë identifikuar në laborator janë serbë.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj qeverisë serbe për të na treguar se ku janë varret”, tha Gërxhaliu.

Puna mjekoligjore që përdor imazhet satelitore për të gjetur mbetjet e luftës pritet të përfundojë këtë verë në një vend të madh gurorë në jug të Serbisë.

Ndërsa qindra mijëra shqiptarë etnikë përfunduan si refugjatë pas luftës, Hasani jeton me gruan dhe mbesën e tij në një fshat në pjesën veriore, kryesisht të populluar me popullsi serbe të Kosovës, jo larg nga kufiri me Serbinë.

Ai thotë se djemtë e tij nuk ishin anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, grupit të armatosur separatist që luftuan kundër forcave serbe dhe udhëheqësit e të cilës formuan një gjykatë speciale e cila po heton për krime lufte kundër serbëve etnikë në Kosovë.

Për vite me radhë, familja e Hasanit ka qenë në kontakt me dy serbë, të cilët u kanë thënë atyre se pasi u arrestuan katër vëllezërit në Kosovë, ata u burgosën në qytetin lindor serb Pozharevac, pastaj në kryeqytetin e Beogradit, përsëri në Pozharevac dhe më pas diku në vend të panjohur.

Mbesa e Hasanit, Agnesa, vajza e djalit të tij të madh, Fadilit, ishte vetëm disa muajshe kur babai i saj u zhduk. 21 vjeçarja studente e drejtësisë, thotë se babai i saj dhe xhaxhallarët nuk kanë kryer asnjë krim.

Ashtu si gjyshi i saj, ajo është e bindur se ata janë të burgosur dhe se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është çelësi i lirimit të tyre.

“Babai im do të kthehet, nëse marrëdhëniet me Serbinë përmirësohen”, thotë ajo./Assosiated Press

 

Kontribuan Llazar Semini në Tiranë, Shqipëri dhe Dushan Stojanoviç në Beograd.