Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Anulohet vendimi për shpronësimin e pronave të preken nga realizimi i autostradës Prishtinë - Pejë

Qeveria ka anuluar vendimin përfundimtar të shpronësimeve për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të ndërtimit të Autostradës Prishtinë – Pejë, në segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq.

Albin Kurti, kryeministër i vendit tha që vendimi vjen pas auditimit dhe vlerësimit që evidenton parregullsi të theksuara si dhe shpërputhje prej 12 milionë eurove.

“Pas gjetjeve të auditorit që shpërfaqin shkelje të shumta në procesin e shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të ndërtimit të Autostradës Prishtinë – Pejë, në segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq dhe me qëllim të ndaljes së keqpërdorimit dhe abuzimit të parasë publike, përkatësisht për shpërputhjen prej mbi 12 milionë euro, ministri Murati ka dërguar këtë rast në Prokurorinë Speciale dhe sot po e anulojmë këtë proces të dëmshëm”.

Ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati tha që ky vendim duhet të anulohet për shkak të mospërputhjeve të tabelave nga departamenti i tatimit në pronë dhe atyre që janë votuar nga kabineti i atëhershëm qeveritar.

“Bazuar në tabelat e departamentit të tatimit në pronë, segmenti në fjalë, fillimisht ishte vlerësuar 31 milion e 40 mijë e 729 euro, ndërsa më 17 dhjetor 2019, qeveria kishte miratuar shpronësimin me tabela të tjera e që parcelat në total vlerësoheshin në shumën prej 43 milionë e 462 mijë e 518 euro. Ky dallim vjen për shkakun se në disa parcela në tabelat e miratuara nga qeveria që dallojnë nga vlerësimi fillestar është bërë dyfishimi i vlerës së shpronësimit duke vlerësuar në fryrje të kostos së shpronësimit”, tha Murati.

Vendimi për shpronësim e këtyre pronave ishte marrë nga qeveria Haradinaj më 17 dhjetor 2019.