Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com
Anulohet vendimi për hedhjen e aktakuzës ndaj mbrojtësit të viktimave, rasti kthehet në rivendosje
Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës së Prishtinës i cili kishte hedhur poshtë aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj përfaqësuesit të mbrojtjes së viktimave, Arlind Popaj, duke e kthyer kështu lëndën në shkallë të parë për rivendosje.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arlind Jupolli.
“Gjykata e Apelit për herë të dytë, me një kolegj të ri, jo kolegji i parë, ka vendosur që lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje duke e aprovuar ankesën e prokurorit të shtetit. E ka anuluar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës të avokatit mbrojtës”, tha avokati Jupolli.
Kujtojmë se Gjykata e Prishtinës më 10 shkurt 2021 e kishte shpallur fajtor Popajn dhe e kishte dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 1,500 eurosh, me pëlqimin e të akuzuarit.
Kundër këtij aktgjykimi ankesë kishte paraqitur Prokuroria e Prishtinës për shkak të vendimit mbi denimin.
Prokuroria i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që ta ndryshonte aktgjykimin e shkallës së parë dhe të akuzuarit t’i shqiptonte dënim më të rëndë me burgim, si dhe dënim plotësues.
Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallë të parë ku Popaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihej në barrë.
Ndërsa, më 24 qershor Gjykata kishte nxjerrë aktvendim me të cilin e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakzuës.
Sipas Prokurorisë, Arlind Popaj në vitin 2018 në lokalin “Edona”, në Vushtrri, në cilësinë e personit zyrtar – përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke mos ndërmarrë veprimet që ka qenë i detyruar të ndërmarrë, krejt kjo me qëllim që të përfitonte dobi pasurore për vete.
Tutje aktakuza thotë se i akuzuari në cilësinë e përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës kërkoi nga vëllai i të dëmtuarës F.P., e cila ishte viktimë e dhunës në familje, shumën prej 3 mijë eurove në formën e borxhit edhe pse i njëjti asnjëherë më parë nuk ishte njohur me të dëmtuarën apo familjarët e saj.
Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara dhe vëllai i saj nuk i kanë pasur shumën prej 3 mijë eurove, mirëpo e dëmtuara paratë e kursyera të djalit të saj në shumën prej 1 mijë e 400 eurove, ia kishte dhënë përmes vëllait të saj të akuzuarit, për arsye të blerjes së një veture nga ana e të akuzuarit.
Në aktakuzë përmendet edhe një shumë prej 90 eurove, të cilën i akuzuari e kishte kërkuar po ashtu nga vëllai i të dëmtuarës për trajtimin shëndetësor të djalit të të akuzuarit për shërimin jashtë vendit si dhe përfitime të tjera si mbushjen e veturës me karburant, darka dhe dreka të cilët kanë qenë të detyruar t’i shërbejnë të akuzuarit, duke e shfrytëzuar pozitën e vështirë të të dëmtuarës e cila ka qenë subjekt i dhunës fizike dhe psikike nga ana e burrit të saj.
KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.